Përtej shenjave të dukshme që mund të japin bimët, siç janë thatësia e dheut apo tharja e gjetheve, duket se nuk ka një shenjë tipike dalluese që tregon se kur lulet apo bimët tuaja kanë nevojë për ujë.
Por, hortikulturisti (ekspert i bimëve) Justin Hancock thotë se ka një kohë ideale për të ujitur bimët, nëse vërtet doni të bëni ndryshimin në momentin që kuptoni nevojat e bimëve për ujë.
Kur është koha më e mirë e ditës për të ujitur bimët?
Sipas tij, “orët e mëngjesit janë më të sigurta për shkak se zvogëlohen shanset për prekje nga sëmundjet e bimëve apo kërpudhat.”
“Ujitja e bimëve në periudha të caktuara të ditës mund të krijojë një mjedis ku kërpudhat lulëzojnë, pasi ato përhapen masivisht në vende me shumë lagështi. Kështu që, ujitja e bimëve në mbrëmje ose gjatë natës me uljen e temperaturave dhe rritjen e lagështisë mund të nxisë potencialisht rritjen e sëmundjeve kërpudhore,” thotë Hancock.
Pikërisht për këtë arsye, ujitja e luleve në mëngjes është një ide e mirë pasi gjatë ditës uji i tepërt avullon dhe kësisoj ulen mundësitë për prekje nga sëmundjet kërpudhore.
A ndikon koha se kur i ujisni bimët në rritjen e tyre?
Bimët nuk e dallojnë domosdoshmërisht se në cilën orë të ditës ato ujiten, ndaj kjo nuk ndikon në shkallën e rritjes së tyre.
Çfarë ndodh nëse bimët nuk ujiten në mëngjes?
Sipas Hancock, për sa kohë që nuk jeni duke e tepruar me sasinë e ujit, si shumë, por edhe pak sasi, ju mund t’i hidhni ujë në çdo kohë, por mëngjesi sugjerohet si orari më i mirë për të shmangur sëmundjet kërpudhore të bimëve.
“Nëse i keni bimët jashtë dhe u hidhni ujë në mëngjes, ju ulni mundësinë e prekjes nga sëmundjet e bimëve apo harxhimin e ujit në avullim,” përfundon ai.
Discussion about this post