Në Gjermani po kërkohet me intensitet arsyeja e ngordhjes masive të peshqve në lumin lindor Oder. Mund të jenë disa arsye për këtë katastrofë, thonë ekspertët. Në fokus është vendosur një minialgë.
Më shumë se një javë pas katastrofës në lumin Oder në Gjermani, autoritetet dhe studiuesit kërkojnë me intensitet, por gjetja e arsyes së ngordhjes së peshqve është e vështirë. Ngordhja masive e peshqve konsiderohet si katastrofa më e madhe ekologjike në Brandenburg. Zyra e Landit për Mjedisin dhe institutet shkencore kërkojnë me intensitet arsyet duke marrë në vëzhgim ujërat dhe peshqit. Studiuesit kanë gjetur disa shkaqe.
Algat një shkak i mundshëm
Një lloj alge toksike, sipas studiuesve mund të jetë shkak për ngordhjen masive të peshqve. Një studiues i Institutit të Leibnizit për Ekologjinë Ujore dhe Peshkimin e Brendshëm identifikoi mikroalgën me emrin “Prymnesium parvum” si shkak. Kjo mikroalgë është identifikuar edhe në pjesën polake të lumit. Ministrja polake e Mjedisit, Anna Moskva është shprehur se edhe në Poloni në provat e ujit të Oder janë gjetur algat toksike. Sipas studiuesit Christian Wolter alga toksike njihet për atë që çon herë pas herë në ngordhjen e peshqve. Por ende nuk është vërtetuar përfundimisht, se kjo mikroalgë është shkak për ngordhjen e tyre, por vetëm shtrirja masive e saj.
Pse kaq shumë mikroalga në lumin Oder?
Mikroalga “Prymnesium parvum”, sipas studiuesve gjendet aty ku përzihen ujërat e ëmbla dhe të kripura. Ajo gjallon aty ku përmbajtja e kripës është e lartë, gjë që nuk gjendet në nivel të tillë të lartë në ujërat e lumit Oder. Por në stacionet e matjes të Zyrës së Landit për Mjedisin në qytetin Frankfurt mbi Oder, prej dy javësh vërehen vlera të larta të kripës në ujëra, që sipas ekspertëve e kanë origjinën në pjesën e sipërme të lumit.
Rritja masive e algave ka sjellë edhe vlera të larta të oksigjenit, të pihashit dhe klorofilit. Ndryshimi i klimës streson ekosistemin, sipas studiuesve, thatësira dhe temperaturat e ujit, niveli i ulët i ujit rrisin rrezikun për katastrofa mjedisore. Në nivele të ulta të ujit substanca të dëmshme transportohen e lëvizin në më pak vëllim ujërash. Rritja e përqëndrimit e lëndëve të tilla dëmton peshqit. Nëse kësaj i shtohen edhe alga toksike apo kimikate mund të ndodhë të shkatërrohen sistemet ekoligjike në ujëra, thotë eksperti, Jörg Oehlmann.
Burimi: DW
Discussion about this post