Ermal Mamaqi kërkon 6 mijë euro nga fansat e tij në mënyrë që të kenë një foto me të? Ky lajm nisi të përhapej me shpejtësi në mediat online ditët e fundit. Kjo pasi u publikua një faturë ku shkruhej me shkrim dore: 6 mijë euro një foto me Ermalin.
Mirëpo, Ermali ka treguar se e gjitha ka qenë një lojë e nisur nga vet ai. Aktori reagoi me anë të një postimi në Instagram ku tha se bëhet fjalë për një rreng dhe se mesazhi i dërguar te portali ishte shkruar nga ai.
“Para disa ditësh ishim këtu te restoranti im dhe mendova t’i bëj një rreng një portali më të ndjekur në Shqipëri, respekte gocave dhe çunave që punojnë atje. Mora një faturë dhe shkruajtëm një rresht aty poshtë sikur i kishim faturuar një klienti 6 mijë euro që kishte bërë foto me mua. I dërguam portalit duke i shkruar fiks këtë mesazh. Dhe ata e postuan lajmin, madje duke i shtuar dhe fjalë të tjera, të cilat ne nuk i kishim thënë. E dini nga e di, sepse e shkrova vetë atë mesazh dhe numri me të cilin e kemi dërguar është i lokalit tonë. Pse e bëra këtë? Një sepse doja t’i bëja reklamë lokalit tim dhe dy sepse doja t’ju tregoja si funksionojnë mediat online”, tha Ermali ndër të tjera.
Ermali prej kohësh është larg ekranit ndonëse vazhdon t’i bëjë për të qeshur njerëzit në rrjetet sociale. Ermali gjatë kësaj periudhe i është përkushtuar kinematografisë, si producent dhe aktor, teksa pas “Xing me Ermalin” nuk ka sjellë më asnjë emision. Ai ka deklaruar se nuk dëshiron më të kthehet si prezantues.
Burimi: Panorama Plus
Discussion about this post