Njëqind e tetë vjet më parë, ndodhi një nga katastrofat më të famshme dhe më vdekjeprurëse të kohëve moderne. Në orën 02:20 të mëngjesit të 15 prillit 1912, ajo që vlerësohej si një nga anijet më luksoze dhe të sigurta të ndërtuara ndonjëherë, u përplas me një ajsberg dhe u mbyt në brigjet e Njufaundlendit, duke i marrë jetën më shumë se 1.500 njerëzve.
Anija më e madhe e pasagjerëve në botë deri në atë kohë, ishte në udhëtimin e saj të parë zyrtar, duke udhëtuar nga porti anglez i Sauthemptonit për në Nju Jork të SHBA-së. Reliket e saj do të zbuloheshin pas 73 vjetësh, më 1 shtator 1985 nga Robert Balard dhe Zhan-Lui Mishel. Ndërsa tragjedia ka frymëzuar shumë filma, libra dhe artikuj, anija dhe pasagjerët e saj, bartin ende mbajnë sekrete dhe fakte pak të njohura, që mund t’ju habisin. Ja cilat janë disa prej tyre:
Aktorja amerikane e filmave pa zë Doroti Gibson, ishte një nga afro 700 të mbijetuarit e aksidentit. Ajo luajti në një film të quajtur “E mbijetuara nga Titaniku”, që u shfaq në kinema vetëm 1 muaj pas tragjedisë. Xhirimet për filmin nisën menjëherë pasi ajo mbërriti në Nju Jork. Në film, Gibson mbante veshur të njëjtat rroba, që kishte gjatë fundosjes së Titanikut.
700 pasagjerët e klasës së tretë, duhej të ndanin dy banjo gjithsej. Kjo u pasqyrua me vërtetësi edhe në filmin “Titanik” të vitit 1997 me regjinë e Xhejms Kameron.
Një nga muzikantët e anijes, Rozhe Briku, ishte vetëm 21-vjeç kur vdiq në atë tragjedi. Por ai nuk u shpall zyrtarisht i vdekur deri në vitin 2000. Madje ushtria franceze e quajti atë një dezertor, kur ai nuk u paraqit për të shërbyer në Luftën e Parë Botërore. Shoqata Franceze e Titanikut, u përpoq për vite me radhë të pastronte figurën e tij, por e arriti këtë vetëm 88 vjet pas fundosjes së Titanikut.
Pak para përplasjes, ekuipazhi i anijes ishte detyruar të vëzhgonte me sy të lirë rrugën përpara. Për këtë arsye oficerët e turnit Frederik Flit dhe Rexhinald Li, nuk mund të shihnin shumë larg. Oficeri i dytë i anijes u zëvendësua në minutën e fundit, dhe harroi t’u dorëzonte çelësin e dollapit ku ndodheshin dylbitë. Çelësi u nxorr në ankand në vitin 2010, dhe u shit për 130 mijë dollarë.
Sipas të dhënave zyrtare të hetimit që u krye po atë vit, ekuipazhi pati vetëm 37 sekonda kohë nga identifikimi i ajsbergut, në dhënien e alarmit, dhe vendosjes së çfarë duhej bërë.
Titaniku u karakterizua që në origjinë nga tragjeditë. Tetë punëtorë vdiqën vetëm gjatë ndërtimit të anijes, por vetëm 5 prej tyre janë të njohur:Samuel Skot, Xhon Kelli, Uilliam Klark, Xhejms Dobin dhe Robert Mërfi. Një pllakatë përkujtimore, u zbulua në ndërtim të tyre në Belfast në vitin 2012.
Njeriu më i pasur në bordin e Titanikut ishte Xhon Astor IV, që besohej gjerësisht se ishte njeriu më i pasur në botë në kohën e vdekjes. Pasuria e tij ishte rreth 150 milionë dollarë, ose 3.5 miliardë dollarë me kursin e sotëm. Ai po kthehej nga muaji i mjaltit me gruan e tij të re, Madlein Fors, 28 vjeçe më e vogël se ai. Trupi i Astor, ishte një nga të paktët që u gjet në ujërat e oqeanit Atlantik. Me vete iu gjetën 2.440 dollarë, ose afro 60 mijë dollarë më kursin e sotëm.
Thuhet se disa burra u maskuan si gra, për të gjetur një vend në varkat e shpëtimit, të cilat ishin vetëm për gratë dhe fëmijët. Madje këto zëra shkaktuan divorcin mes Dikinson dhe Helen Bishop në vitin 1916, që të 2 të mbijetuar nga Titaniku. Edhe të mbijetuarit J.Brus Ismei, Uilliam Karter dhe Uilliam T.Sloper, u përndoqën gjatë gjithë jetës nga të njëjtat aludime.
Të 25 inxhinierët e anijes u mbytën, teksa u përpoqën që të mbanin sa më gjatë anijen mbi ujë. Ata arritën të garantonin funksionimin e energjisë elektrike dhe pompave të shkarkimit, deri kur anija u fundos. Falë tyre, anija transmetoi sinjalin SOS përmes radios deri disa minuta para fundosjes së anijes.
Vëllezërit Edmond dhe Mishel Navratil, ishin 2 dhe 4 vjeç kur u fundos Titaniku. Ata ndodheshin në anije me të atin e tyre, Mishel Sr., që i kishte rrëmbyer nga e ëma. Ai vendosi t’i çonte në Amerikë, me shpresën që gruaja e tij do ta ndiqte, dhe ata mund të nisnin në SHBA një jetë të re.
Babai i tyre, i hipi të miturit në një varkë shpëtimi, dhe nuk u pa më i gjallë. Asnjeri nga fëmijët nuk fliste anglisht. Ata u ndihmuan nga francezja e mbijetuar, Margaret Heis, derisa autoritetet e gjetën nënën e tyre 1 muaj pas katastrofës, falë fotot së tyre të botuar në të gjithë gazetat e botës.
Të paktën 15 dëshmitarë, u betuan se e kishin parë Titanikun të ndahej më dysh, para se të fundosej. Por pretendimi u injorua, dhe hetimi zyrtar nga autoritetet amerikane, arriti në përfundimin se anija u mbyt si një e tërë. Në fakt 73 vjet më vonë kur u gjetën rënojat, u vërtetua se dëshimtarët kishin patur të drejtë: anija ishte e ndarë më dysh.
Shkencëtarët, mendojnë se për shkak të baktereve që e rrethojnë, reliket e anijes mund të zhduken tërësisht brenda vitit 2030.
Njëri nga kuzhinierët e anijes, Çarls Xhauglin, mbijetoi shumë më gjatë në ujë të ftohtë se të tjerët, për shkak të sasive të mëdha të uiskit që kishte pirë. Raportohet se ai i mbijetoi ujërave të akullta të Atlantikut të Veriut për të paktën 2 orë, ndërsa shumica vdiqën nga hipotermia brenda 15 minutave.
Nga mbi 1.500 njerëz që vdiqën, vetëm 4 prej tyre ishin gra nga klasi i parë. Njëra prej tyre ishte Ana Isham, e cila vdiq pasi nuk pranoi ta braktiste qenin e saj. Thuhet se ajo u hodh nga një varkë shpëtimi, kur e kuptoi se nuk mund të merrte më vete qenin e saj. Më pas u spekulua se një grua u gjet e pajetë në ujë duke shtrënguar qenin e saj, edhe pse është e pamundur të dihet me siguri nëse ishte pikërisht ajo.
Nga mbi 1500 viktimat, u gjetën vetëm trupat e 300 prej tyre. Një nga trupat e gjetur u quajt “fëmija i panjohur”. Ai u identifikua gati 100 vjet më vonë si Sidnej Guduin.
Një nga të mbijetuarat më të famshme ishte Molli Braun. Ajo kandidoi më vonë për në Senatin e SHBA, edhe pse nuk fitoi. Braun ishte një aktiviste e të drejtës së grave për të votuar, dhe punoi me Kryqin e Kuq gjatë Luftës së Parë Botërore.
Katastrofës i shpëtuan jo pak njerëz të famshëm. Ata kishin blerë biletat e udhëtimit, por për arsye të ndryshme nuk hipën në të. Mes tyre ishin biznesmenët e njohur Milton Hershej, J.P Morgan, dhe shpikësi italian i radios Gulielmo Markoni.
“Titaniku” i Xhejms Kameron, nuk është filmi i vetëm në lidhje me këtë ngjarje. Nazistët realizuan në vitet 1930 një film propagandistik, që i përshkruan ngjarjet nga një “këndvështrim” gjerman. Filmi u përpoq të fajësojë britanikët për fundosjen e Titanikut. Pretendohej se ata e nxitën anijen të udhëtonte me shpejtësi të plotë, pavarësisht nga paralajmërimet e një zyrtari (imagjinar) gjerman, që gjoja ishte i vetmi person në bord që u shqetësua për jetën e njerëzve.
Skandali i prapaskenave të këtij filmi, është gati i pabesueshëm. Pak para se të vritej në burg se kishte folur kundër regjimit nazist, regjisori i atij filmi kërkoi nga autoritetet një anije me madhësinë e Titanikut, që të mund ta xhironte filmin. Nazistët i siguruan transoqeanikun luksoz gjerman SS Cap Arcona. Por kjo anije u përdorur më vonë si një kamp përqendrimi lundrues, dhe u fundos nga aleatët, duke shkaktuar 2.750 të vdekur. / Insider
Discussion about this post