Arkeologët në Gjeorgji thonë se kanë gjetur një dhëmb, që mendohet të jetë nga një paraardhës i hershëm i njeriut, që ka jetuar rreth 1.8 milionë vjet më parë. Dhëmbi u zbulua në një zonë në jug të vendit, rreth 20 kilometra nga rajoni ku u gjet një kafkë njeriu 1.8 milionë vjeçare në vitin 2013.
Arkeologët, të cilët janë pjesë e ekspeditës në Orozmani të Gjeorgjisë, po prisnin për një kohë të gjatë një zbulim të këtij lloji.
Giorgi Bidzinashvili, i cili drejton ekspeditën arkeologjike në Orozmani, thotë se ky është një zbulim historik.
“Kjo është një shenjë se 20 kilometra nga Dmanisi, zona ku janë gjetur mbetje të parardhësit më të vjetër të njeriut, ekziston një vend tjetër me gjurmët e kolonizatorëve më të vjetër euroaziatikë”, thotë ai.
Ekspertët besojnë se zbulimi është një faktor i rëndësishëm në përpjekjet për të kuptuar migrimin para-njerëzor jashtë kontinentit të Afrikës.
Fshati Orozmani, ku arkeologët bënë zbulimin, ndodhet rreth 100 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit të Gjeorgjisë, Tbilisi.
Ekspertët besojnë se fosilet e kafshëve të zhdukura dhe veglat primitive prej guri janë një tregues i pranisë së parardhësve të njeriut.
Zbulimet e para të mbetjeve të këtij lloji në Orozmani u bënë në vitet 1960.
Gërmimet arkeologjike nisën në vitin 2019, duke rezultuar në zbulimin e gjurmëve të një vendbanimi paleolit.
Ekspertët thonë se mes gjetjeve janë dhëmbë të maceve, mbetje të ujqërve, hienave dhe antilopave.
Kjo zonë është e rëndësishme, duke patur parasysh afërsinë me zonën tjetër parahistorike me famë botërore në Dmanisi, ku janë gjetur mbetjet më të hershme të species së njeriut jashtë Afrikës.
Kafkat fosile të zbuluara në Dmanisi janë të specieve që kanë jetuar në atë zonë 1.8 milionë vjet më parë.
Në Orozmani do të vazhdojnë gërmimet arkeologjike.
Shkencëtarët shpresojnë se do të zbulojnë fosile të kafkave të lashta njerëzore, të cilat mund të ofrojnë më shumë informacion mbi jetën e specieve më të lashta të njeriut jashtë kontinentit të Afrikës./VOA
Videoja e plotë:https://www.zeriamerikes.com/a/6751787.html
Discussion about this post