Piramida e Keopsit, mund t’i nënshtrohet sërish “syrit” depërtues të detektorëve deri në nivelin e grimcave nën–atomike. Një grup shkencëtarësh po planifikojnë një skanim të ri të monumentit të famshëm me një teknikë imazherie, e cila studion rrezet kozmike dhe depërton nëpër gur, për të zbuluar se çfarë ka brenda strukturës. Mbi të gjitha, studiuesit shpresojnë të kuptojnë se çfarë fshehin dy hapësirat misterioze boshe, njëra prej të cilave 30 metra e gjatë, e zbuluar për herë të parë në vitin 2017.
Një varr i madh
Piramida e Keopsit ose Piramida e Madhe e Gizës, është më mbresëlënësja në këtë zonë. E ndodhur jo shumë larg Kajros, ajo është piramida më monumentale e ndërtuar ndonjëherë në Egjiptin e Lashtë. Besohet se piramida, e cila është më e vjetra nga 7 mrekullitë e botës antike, dhe e vetmja që është ruajtur e plotë, mendohej se ishte varri i faraonit Kufu, që mbretëroi në Egjipt gjatë dinastisë së katërt, në vitet 2509-2483 Para Krishtit.
Piramida është 139 metra e lartë dhe 230 e gjerë, brenda saj ndodhen 3 dhoma të njohura, të vendosura në lartësi të ndryshme (dhoma e nëndheshme, dhoma e mbretëreshës dhe ajo e mbretit) dhe një sërë tunelesh lidhëse, më e rëndësishmja prej të cilave është Galeria e Madhe, 46.7 metra e gjatë. Përveç këtyre detajeve teknike, ne dimë shumë pak se si është ndërtuar monumenti, dhe çfarë përmban tjetër ai.
Rrezet kozmike
Pikërisht për këtë arsye, gjatë viteve 2015-2017, një grup arkeologësh nga Franca dhe Japonia, të udhëhequr nga Instituti i Inovacionit në Ruajtjen e Trashëgimisë me seli në Paris, e analizoi piramidën me një teknikë të bazuar në zbulimin e rrezeve kozmike – e njëjta që përdoret për të parë brenda vullkanet – grimca shumë energjike me origjinë galaktike dhe ekstragalaktike që e godasin Tokën nga të gjitha drejtimet, dhe që lëvizin me një shpejtësi që është e afërt me atë të dritës. Ata synuan të identifikonin muonet, grimca të ngarkuara negativisht, që formohen kur rrezet kozmike ndërveprojnë me atomet e atmosferës së Tokës.
Për çfarë shërbenin hapësirat e reja që janë zbuluar?
Meqë muonët lëvizin ndryshe kur përhapen në ajër ose në gur, duke analizuar trajektoret e tyre është e mundur të kuptohet nëse ata lëvizin në një hapësirë të plotë, apo më saktë në një ndarje brenda strukturës. Pra bëhet fjalë për të bërë një lloj skanimi të një monumenti, që nuk mund të shqyrtohet ndryshe.
Në këtë rast, në vend të kockave, ju mund të shihni ndonjë dhomë të fshehur. Analiza e fundit identifikoi 2 hapësira boshe në piramidë, më e madhja prej të cilave, ishte 30 metra e gjatë dhe 6 e lartë, dhe ndodhet mbi Galerinë e Madhe, dhe më e vogla pak përtej faqes veriore të piramidës.
Një skanim më i saktë
Por se çfarë ishin këto “boshllëqe” mbeti një enigmë. Hipoteza më magjepsëse, ishte se hapësira më e madhe mund të përmbajë edhe dhomën e varrimit të Keopsit, por kjo duket si diçka e pamundur, pasi tuneli nuk është i lidhur me asnjë mjedis tjetër, dhe është i paarritshëm.
Teoria më e thjeshtë, është se ky është një truk inxhinierik, për të lehtësuar peshën e blloqeve të gurit mbi Galerinë e Madhe, dhe për të parandaluar shembjen e tyre, për ta kuptuar këtë, duhet ta shqyrtojmë piramidën me një skanim me rezolucion më të lartë. Autorët e studimit të ri, synojnë që ta bëjnë këtë gjë me një detektor 100 herë më të ndjeshëm se ai i mëparshmi, transmeton ‘bota.al’.
Misteri vazhdon…
Detektorët do të pozicionohen jashtë ndërtesës, dhe do të lëvizin rreth perimetrit të bazës për të mbledhur muone nga çdo kënd, në mënyrë që ekspertët të ndërtojnë të dhënat e nevojshme.
“Përdorimi i teleskopëve për muonë shumë të mëdhenj jashtë piramidës, mund të prodhojë imazhe me rezolucion më të lartë, falë sasisë së madhe të muoneve të identifikuar”-shkruajnë studiuesit.
Ndjeshmëria e instrumentit mund të jetë aq e madhe sa të identifikojë çdo objekt metalik, prej terrakote ose guri brenda dy hapësirave boshe. Për rezultatet e para, do të duhet të bëjmë pak durim, kjo sepse grupi që ka marrë leje nga Ministria egjiptiane e Turizmit dhe Antikiteteve për të kryer skanimin, ka ende mungesë fondesh dhe sponsorësh për të ndërtuar detektorët, dhe aktualisht mund të mendojë vetëm për ndërtimin e një prototipi.
Pasi të jenë në dispozicion mjetet, do të duhet ende një vit për rezultatet paraprake; 2-3 vite vëzhgim, për të pasur një hartë të plotë dhe super të ndjeshme të brendësisë së piramidës. Prandaj misteri vazhdon…
Discussion about this post