Më 5 korrik 1946 inxhinieri Louis Réard krijoi bikinin.
Kostumi i banjës (bikini) i përbërë nga dy pjesë shkaktoi drithërima në botën e atëhershme të modës. Gratë franceze e mirëpritën dizajnin, por Kisha Katolike, disa media dhe shumica e publikut fillimisht menduan se dizajni ishte i rrezikshëm apo edhe skandaloz. Madje as revista ‘Vogue’ nuk donte të botonte në kopertinë fotografi modelesh me bikini.
Prezantimin e parë të kësaj veshje përpara kamerave e bëri një kërcimtare e një bari striptiz, Micheline Bernardini. Ajo pozoi në një pishinë të Parisit.
Louis Réard e pagëzoi kostumin e ri të plazhit bikini, nisur prej emrit të ‘Bikini Atoll’ në Oqeanin Paqësor, ku SHBA kryen provat e para të bombës atomike.
Reklama e Louis Réard ishte: “Bikini, bomba e parë anatomike!”
Konkurrentet në konkursin e parë të bukurisë Miss World i kishin veshur ato në vitin 1951, por veshja u ndalua më pas nga konkursi.
Aktorja Brigitte Bardot tërhoqi vëmendjen kur u fotografua e veshur me bikini në plazh gjatë Festivalit të Filmit në Kanë në vitin 1953.
Aktoret e tjera, duke përfshirë Rita Hayworth dhe Ava Gardner, morën gjithashtu vëmendjen e shtypit kur mbanin bikini. Gjatë fillimit të viteve 1960, dizajni u shfaq në kopertinën e Playboy dhe Sports Illustrated, duke ju dhënë legjitimitet shtesë.
Kostumi i këtillë gradualisht u përhap dhe u pranua në shoqërinë perëndimore. Sipas historianit francez të modës Olivier Saillard, bikini është ndoshta lloji më i popullarizuar i veshjeve të plazhit femëror në mbarë globin për shkak të “fuqisë së grave dhe jo fuqisë së modës”.
Siç shpjegon ai, “Emancipimi i rrobave të banjës ka qenë gjithmonë i lidhur me emancipimin e grave”.
Përtej kësaj, dëshmitë e veshjeve të grave me bikini janë gjetur që në vitin 5600 para Krishtit. Ilustrime të grave të veshura me rroba të këtilla gjatë ngjarjeve konkurruese atletike në epokën romake janë gjetur në disa vend.
Më e famshmja prej të cilave është në Villa Romana del Casale.
Përgatiti U.V/ ObserverKult
Discussion about this post