Familjet shqiptare njihen për sakrificat dhe vështirësitë që kanë kaluar si pasojë e emigrimit. Shumë të rinj e të reja kanë ikur nga vendlindja për një të ardhme me të mirë jashtë shtetit. Disa me dokumentacion të rregullt, e disa të tjerë “pa letra”.
E atillë është historia e gazetarit shqiptar, Isa Myzyraj, i cili ka emocionuar të gjithë me historinë e tij tepër prekëse. Ai ka takuar vëllain pas 24 vitesh, pasi ky i fundit ishte larguar nga Shqipëria drejt Anglisë që në moshën 12-vjeçare.
Në një lidhje me Skype për “ABC e Mëngjesit”, Isai ka ndarë emocionet e atij momenti sa të vështirë dhe të bukur. Ai zbuloi se nuk takoi vetëm të vëllain, por për herë të parë dhe nipat e mbesat.
“Nuk e mbaj mend fare atë kohë, unë kam qene 4-vjeç dhe vëllai është larguar për në Angli që 12 vjeç. Në atë kohë kemi pasur arsye dhe më të forta për t’u larguar se nuk kishim mundësi ekonomike. Nga ato që më thotë mami, në fshat kemi pasur vetëm një telefon i lidhur me kabulla që të flisnim me jashtë dhe flisnim vetëm një herë në 6 muaj, sepse vëllai ka qene në shtëpinë e fëmijës.
Kur e takova emocionet ishin të përziera sepse takova dhe familjen e tij, nipat dhe mbesat. Nuk e di ta përshkruaj për hir të vërtetës këtë ndjenjë. Edhe mami ka 24 vite pa e takuar, babi më vdiq vjet në fakt dhe në momentin që babi ishte i sëmurë, se vuante nga një sëmundje e rëndë, vëllai e ndau mendjen që do të kthehej. Edhe shkoj te autoritetet këtu dhe tha: “Përtej të gjithave, unë dua të kthehem dhe me koston që do prish dokumentat”. Por që nuk e lejuan për shkak të familjes që ai ka këtu, nuk e lejuan të kthehej për në Shqipëri”, u shpreh gazetari.
Discussion about this post