Brokoli është një perime që shpesh nënvlerësohet nga konsumatori.
Kjo perime me kurorë gjen vendin në tryezat tona dhe ofron shumë vlera dhe ushqyes.
Megjithatë, duhet të dini që kurora e perimes është një copëz e vogël e oazit të vlerave që ofron bima e plotë e brokolit.
Gjatë fazës së rritjes, brokoli shoqërohet me gjethe të mëdha të cilat hiqen për ta bërë tufën e brokolit më të paraqitshme për syrin e pastërvitur të konsumatorit.
Ky i fundit përballet me një mori barishtesh në supermarket siç janë spinaqi, sallata jeshile, rukola, gjethet e panxharit e të tjerë.
Por barishtet e brokolit janë një pasuri më vete.
Zbuloni në këtë artikull të AgroWeb.org arsyet përse duhet të konsumoni gjethet e brokolit.
Gjethet e brokolit janë të pasura me ushqyes
Gjethet e brokolit janë një ndër barishtet më të shëndetshme dhe më të pasura me ushqyes.
Ato përmbajnë fibër, vitaminë A, thiaminë, niacinë, kalçium, hekur, selenium, vitaminë C, riboflavin, folat, kalium e të tjerë.
Ato të ngopin shpejt dhe përmbajnë pak kalori.
Barishtet që gatuhen lehtë
Gjethet e brokolit kanë shije të ngjashme me perimen. Ato mund të hahen të gjalla, të kavërdisen, të zihen apo të piqen.
Një ushqyerje e shëndetshme ka zanafillën tek konsumi i barishteve. Gjethet e brokolit ofrojnë shumë vitamina dhe minerale dhe konsiderohen një ushqim i mrekullueshëm.
Falë vitaminës C, ato rekomandohen kundër qelizave të dëmshme.
Kundër konstipacionit
Ushqimet me bazë bimore përmbajnë shumë fibër që përmirësojnë tretjen dhe parandalojnë konstipacionin.
Gjethet e brokolit përmbajnë shumë fibër dhe ndihmojnë zorrët të lëvizin rregullisht duke shmangur probleme me tretjen.
Rënia në peshë
Gjethet e brokolit nuk përmbajnë yndyrë dhe mund të hahen rregullisht pa ju shtyrë të shtoni në peshë.
Ato mund t’i përfshini në sallata ose me perime si karrotat dhe domatet.
Kundër inflamacionit
Duke konsumuar ushqime të shëndetshme siç është brokoli, gjethet, kërcelli e të tjerë, ndihmoni organizmin të vetë pastrohet dhe të mos kthehet në një vatër inflamacioni.
Një regjim i shëndetshëm ushqimor është çelësi i një trupi të shëndetshëm dhe të çliruar nga inflamacioni.
Gjethet e brokolit për një zemër të shëndetshme
Kolesteroli i lartë ka një ndikim negativ për shëndetin e zemrës.
Ushqimet e pasura me kolesterol si mishi i kuq duhen shmangur.
Brokoli dhe gjethet e tij ulin natyralisht nivelet e kolesterolit dhe sheqernave në gjak.
Gjethet e brokolit për shëndetin e syve
Të gjithë ushqyesit që gjenden tek gjethet e brokolit janë të dobishëm për të shmangur problemet që i kanosen shëndetit të syve. Gjasat e formimit të perdes së syrit janë më të pakëta nëse konsumoni ushqime të pasura me luteinë dhe zeaksanthinë, siç është brokoli dhe gjethet e tij.
Shëndeti i lëkurës
Lëkura është organi më i madh në organizëm. Shëndeti i lëkurës luan rol të rëndësishëm në vetëbesimin e njeriut.
Për të përmirësuar shëndetin e lëkurës duhet të konsumoni barishte, siç janë gjethet e brokolit të cilat përmbajnë glukorafaninë, një substancë që përmirëson lëkurën edhe pas dëmeve të shkaktuara nga dielli.
Gjethet e brokolit janë me të vërtetë të pasura me ushqyes, janë unike dhe shumë të shijshme./AgroWeb.org
Discussion about this post