Uthulla është një produkt që mund të përgatitet nga çdo ushqim që përmban sheqerna natyralë, që do të thotë se mund të nxjerrësh uthull nga molla, boronica, fiku, shalqini e shumë të tjerë.
Çdo uthull ka shijen e vet unike, e cila mund të intensifikohet duke shtuar erëza, barishte apo fruta të tjerë.
Pas fermentimit të sheqernave në alkol (faza e parë), bakteret e formuara e transformojnë alkolin në uthull (faza e dytë), ndërkohë që acidi acetik që del në pah gjatë fazës së dytë ka mbledhur aromat e ushqimit fillestar dhe i ka ofruar ato në uthull.
Ky lëng i rëndësishëm përdoret në kuzhinë dhe jo vetëm. Për shembull, uthullën e përdorim në sallata, por edhe për të zbutur shijen e kripur ose të yndyrës në gatime të ndryshme.
Uthullën e përdorim edhe për të pastruar në kuzhinë apo mbajtur nën kontroll refluksin e acidit. Përdorimet e uthullës janë po aq të panumërta sa varietetet e saj.
Më poshtë do të gjeni një listë të përgatitur nga AgroWeb.org mbi disa prej uthullave të panjohura të frutave.
Vlerat e uthullës së hurmës
Uthulla e hurmës ndoshta nuk është shumë popullore në Shqipëri, por në vendet e tjera është shumë e kërkuar. Ajo është një burim i mirë i vitaminë A, B6, dhe C.
Kjo uthull është e pasur me minerale të rëndësishme siç është kalciumi, magnezi, fosfori, kaliumi si dhe fibra. Ajo përmban pak kalori dhe aspak yndyrna.
Kjo e bën shumë të kërkuar nga njerëzit që tregojnë kujdes me peshën.
Uthulla e dardhës e bërë në shtëpi
Këtë uthull mund ta përgatisni nga lëkura ose copat e dardhës të kombinuara me pak sheqer. Mund të zgjidhni pjesët e nxira të dardhës të cilat duhen fermentuar për 2 muaj. Uthulla është e thartë, por e këndshme.
Uthulla e mollës
Amvisat janë të fiksuara pas uthullës së mollës që përdoret në gatim por edhe në punë shtëpiake. Vlerat e uthullës së mollës dhe përdorimet e saj janë të shumta dhe mund t’i lexoni edhe në AgroWeb.org
Uthulla e rrushit
Uthulla e rrushit është e njëjta me uthullën e verës por kërkon një fermentim më të gjatë. Përdoret për turshi dhe për salca. Ka rol të rëndësishëm kundër baktereve dhe është pjesë e mjekësisë tradicionale popullore kundër infeksioneve.
Vlerat e uthullës së shegës
Kjo uthull me ngjyrë të kuqe ruan ëmbëlsinë e frutit dhe ka një nivel të mprehtë aciditeti. Vlerat e saj janë të shumta sidomos për sistemin tretës, performancën e trupit, përthithjen e kalciumit, kolesterolin e ulët, tensionin e gjakut, kujtesën, luhatjet e humorit dhe venat e bllokuara.
Uthulla e thanës
Tradita zonave të veriut të Shqipërisë e kërkon që thanat të fermentohen në ujë për 30-40 ditë. Vendasit betohen për vlerat dhe përfitimet që vijnë nga uthulla e thanës.
Ata pinë një gotë të vogël me uthull thane bashkë më pak sheqer, një lëng që supozohet të ketë një efekt parandalues për disa sëmundje.
Uthulla e balsamit
Vendlindja e kësaj uthulle është Modena e Italisë. Uthulla e vërtetë e balsamit bëhet nga rrushtë Trebbiano që rriten në veri të vendit. Vjetërimi i uthullës kërkon 3 deri në 150 vjet dhe bëhet fuçi druri apo çeliku.
Ky proces i gjatë e bën uthullën e balsamit të shtrenjtë, ndaj shumë prej produkteve që shohim në treg janë imitime të lira të kësaj recete të lashtë./AgroWeb.org
Discussion about this post