Jemi në periudhën e gështenjave të shijshme e plot vlera.
Çfarë i bën ato të veçanta nuk është vetëm shija, por edhe periudha e shkurtër në të cilën mund t’i shijojmë.
Kur në treg dalin gështenjat mund të themi se janë ndër produktet më të shitura, por siç thamë periudha që mund të konsumohen pa u prishur është e shkurtër.
Në këtë artikull AgroWeb.org ju tregon 3 mënyra të shpejta se si mund t’i ruani gështenjat deri në disa muaj ose një vit edhe nëse i keni gatuar.
Deri në 1 javë
Nëse keni mbledhur apo keni blerë gështenja të freskëta e të paqëruara mund t’i ruani ato në një enë të pastër e të thatë për një javë.
Lërini në temperaturë dhome dhe mund t’i përgatisni kur të dëshironi brenda kësaj periudhe pa u prishur.
Deri në 3-4 javë
Mënyra e dytë mund të përdoret nëse doni t’i ruani gështenjat tuaja për disa javë ose përafersisht një muaj.
Merrini gështenjat e paqëruara dhe futini një një qese plastike të mbyllur mirë.
Tek qesja shponi disa vrima të cogla në mënyrë që të qarkullojë ajri dhe futini ato në frigorifer.
Vendosini po aty ku ruani frutat apo perimet e tjera dhe mund t’i konsumoni pa u shqetësuar për 3-4 javët e ardhshme.
Për disa muaj
Nëse i keni zier, pjekur apo qëruar gështenjat tuaja ato me siguri nuk do të zgjasin më shumë se disa ditë.
Por për t’i ruajtur për një kohë të gjatë ju duhet të përdorni ngrirjen.
Pasi t’i mbështillni gështenjat tuaja me një letër alumini ose qese nga ato që përdorni për të futur në ngrirje, vendosini në pjesën e ngrirjes së frigoriferit.
Në këtë mënyrë gështenjat tuaja do të mbeten gati për t’u konsumuar apo përdorur në receta për disa muaj rradhazi./AgroWeb.org
Discussion about this post