Në Marok, një startup po ndërton shtëpi duke përdorur një material që gjendet kudo: dheun.
Eco-dôme Maroc u themelua në vitin 2016. Ajo zbaton traditat lokale në teknologjinë moderne për të ndërtuar ndërtesa në formë të lezetshme, për të cilat thotë se janë më të lira, më të qëndrueshme për mjedisin dhe më efikase ndaj energjisë, sesa shtëpitë e zakonshme prej betoni.
Themeluesi Youness Ouazri thotë se ai zbuloi ‘një traditë të ndërtimit prej dheu’ të përdorur nga brezat e mëparshëm ndërsa po udhëtonte nëpër vend.
“Ne thjesht morëm këtë njohuri ekzistuese dhe i përshtatëm ato me teknologjitë moderne për të dalë me një koncept që është miqësor ndaj mjedisit, me kosto efektive dhe shumë i shpejtë për t’u zbatuar,” tha ai për CNN.
Çdo shtëpi që ndërton Eco-Dome është unike. Pasi kompania të marrë një porosi, hapi i parë është të analizojë përbërjen e tokës për të përcaktuar përshtatshmërinë e saj për ndërtim.
Sasi të vogla gëlqereje ose çimentoje mund të shtohen për performancë optimale dhe përdoren modele të simulimit termik për të përcaktuar trashësinë ideale të mureve të kupolës, në mënyrë që të thithë nxehtësinë gjatë verës dhe ta lëshojë atë gjatë dimrit. Kjo do të thotë se ndërtesa do të përdorë sa më pak energji të jetë e mundur për ngrohje dhe ftohje – ndonjëherë aspak, thotë Ouazri, inxhinier.
Ai shton se eko-kupolat ndërtohen shumë më shpejt sesa një shtëpi standarde. Çmimet variojnë nga rreth 247 dollarë për metër katror në 445 dollarë dhe mund të ndryshojnë sipas tokës dhe vendndodhjes.
Eco-dome i ndërton shtëpitë duke përdorur teknika të ndryshme. Njëra quhet ‘superadobe’, e cila u ideua në vitet 1980 nga arkitekti iraniano-amerikan Nader Khalili dhe përdor qese polipropileni të mbushura me dhe. Metoda të tjera përfshijnë përdorimin e një kornize druri për strukturat, për të marrë një planimetri drejtkëndëshe dhe jo të rrumbullakët.
Eco-doma e parë u përfundua në vitin 2017. “Ishte një shtëpi 775 metra katrorë në një zonë rurale pranë Rabatit, kryeqyteti maroken, e ndërtuar për një klient që e përdor atë si shtëpi pushimi,” thotë Ouazri.
Që atëherë, kompania ka ndërtuar më shumë se 100 kupola në 40 vende të ndryshme. Më e madhja është një qendër kulturore prej 2700 metrash katrorë në Agouim, 70 milje në jug-lindje të Marrakech, në një zonë me një klimë të ashpër që luhatet nga ngrirja në dimër në nxehtësinë përvëluese në verë.
‘Inovacion i kursyer’
Kompania, e cila ka marrë rreth 300,000 dollarë investime deri më sot dhe punëson 17 persona, ka tre lloje kryesore klientësh, thotë Ouazri: “Pronarët e tokave që duan të ndërtojnë një shtëpi parësore ose dytësore në mënyrën më ekologjike të mundshme; investitorët në turizmin rural dhe eko-turizmin; dhe autoritetet lokale dhe komunitetet, për të ndërtuar shkolla ose infrastrukturë tjetër për arsimin dhe kujdesin shëndetësor.”
Eco-dome tani synon të fillojë ndërtimin në vende të tjera dhe po shikon Tunizinë dhe Bregun e Fildishtë si mundësi për zgjerim.
Discussion about this post