Pirja e çajit është një ndër zakonet më të përhapura në mbarë botën.
Mund të sjellim si shembull Japoninë e largët me traditën e saj me konsumimin e çajit jeshil.
Madje edhe Turqinë fqinje e cila e ka kthyer në një art të vetin përgatitjen dhe pirjen e çajit të zi.
Por gjithçka ndryshon kur bimët rriten dhe kultivohen brenda territorit të vendit.
Falë klimës por edhe terrenit favorizues, Shqipëria është bekuar më një larmi bimësh mjekësore.
Çaji sikur merr një shije krejtësisht tjetër kur dëgjon se është karakteristikë e zonës pasi aty edhe rritet.
Duke marr shkas nga tradita e vjetër shqiptare e kosnumimit të çajit, AgroWeb.org sjell për ju një udhëtim përmes filxhanit të çajit.
Çajrat Me Aromë E Shije të Fortë të Veriut
Një nga çajrat mbase më karakteristik që gjen në krahinën e veriut është pikërisht çaji i malësisë.
Edhe pse nga vendasit ai njihet si ‘çaji i malit’, botanika e quan rigoni i kuq.
Banorët e zonës e përdornin në formën e çajit për të pastruar rrugët e frymëmarrjes por edhe për problemet me tretjen.
Qershia e Tokës me Vlera të Mëdha
Nuk mund të mos keni dëgjuar për boronicat e Tropojës apo ato të Kukësit.
AgroWeb.org ka shkruar artikuj të shumtë kur ky produkt natyral mori edhe patentën kombëtare të cilësisë.
Boronicat e veriut janë shumë të famshme edhe në tregjet e huaja, ku kërkesat sa vijnë e shtohen.
Çaji i përgatitur me frutin e tharë të boronicave ka një shije të mrekullueshme të athët edhe të ëmbël njëkohësisht.
Sherebela Me Fuqi Të Pazëvendësueshme
Çaji i sherebelës ka një shije aq unike sa dhe vlerat që kjo bimë i jep organizmit tonë.
Kultivimi i saj ka një përqindje aq të lartë në zonat e Malësisë së Madhe, Pukës dhe Dibrës.
Gjethet e saj përdoren si çaj për të trajtuar dhimbjet dhe madje sipas të dhënave të AgroËeb.org, nga banorët kjo bimë përdorej për të shtuar qumështin tek nënat e reja.
Çaji i Lulebasanit Pjesë e Traditës së Vjetër
Duke udhëtuar drejt Shqipërisë së mesme, bimët medicinale fillojnë dhe marrin karakteristika të tjera.
Lulebasani mund të mbillet lehtësisht kudo nëpër Shqipëri, por qyteti që e kultivon më shumë është Durrësi.
Një filxhan nga ky çaji në mbrëmje para gjumit dhe do të bëni një gjumë të patrazuar e të qetë.
Nenexhiku i Elbasanit Plot Freski
Në vitin 1957 Elbasani nisi me kultivimin e kësaj bime, e më pas ajo sigurisht u përhap.
Përdoret edhe në gatim, por vlerat më të mira i ka kur konsumohet në formën e çajit.
Pjesë e familjes së mentes ajo është perfekte për rrugët e frymëmarrjes.
Herën tjetër që të kaloni në Elbasan ndaloni për një filxhan çaji me nenexhik, pasi këtu kultivohet më shumë.
Bliri me Aromën më të Ëmbël
Nëse doni të shikoni Tiranën të mbuluar nga lulet e verdha në të bardhë të blirit duhet të shëtisni gjatë muajve mars-korrik.
Pemët e blirit i gjeni kudo nëpër rrugët e kryeqytetit dhe në çdo lokal gjeni çajin e preferuar me lulet e kësaj bime.
Bliri është perfekt për të larguar dhimbjet e kokës apo ato muskulore.
Çaji i Vërtetë i Malit
Mali i Thatë në Pogradec është mbase vendi i përkryer për të mbledhur pak nga ky çaj.
Në çdo shtëpi të qytetit liqenor por edhe të Korçës, është e pamundur që të mos shijosh bukën e thekur me djathë dhe çaj mali.
Trëndafili i Egër me Ngjyrën e Rubinit
Edhe pse e gjeni edhe në veri, Përmeti dhe Kolonja janë të parat që e filluan me kultivimin e tij.
Shija e këtij çaji është vërtet e veçantë, ruan karakteristikat e athtësisë por në fund të dhuron një shije të ëmbël perfekte.
Çaji i tij përdoret për nxitjen e sistemit imunitar.
Dafina e Brigjeve Detare
Dafina është një nga bimët që e gjeni përgjatë të gjithë bregdetit të Shqipërisë.
Ama në Vlorë dhe Sarandë ajo mban vendin kryesor të kultivimit.
Avulli me dafinë është një nga zgjidhjet më të mira kundër të ftohurës dhe gripit.
Rigoni i Bardhë i Jugut
Nëse rigoni i kuq është karakteristikë e veriut të Shqipërisë, qytetet e jugut janë të mbushura me rigonin e bardhë.
Ky është edhe rigoni që përdoret në gatim.
Me shije pak më të butë, por me vlera po të shumta për shëndetin.
Këtë mrekulli të natyrës e gjeni të freskët në qytetin e Gjirokastrës.
Çaji i rigonit të bardhë përdoret për të trajtuar sëmundjet e stomakut.
Kamomili i Artë
Kamomili është një nga bimët që AgroWeb.org e cilëson si më miqësorja, pasi rritet në të gjithë qytetet e vendit.
Mund ta gjeni lehtësisht kudo dhe ta shijoni çajin e tij për të qetësuar muskujt pas një dite të lodhshme e të gjatë./AgroWeb.org
Discussion about this post