Speci i kuq djegës është përdorur prej mijëra vitesh kundër disa problemeve shëndetësore.
Këtu përfshihet urthi, kllapia, sëmundjet e stomakut, temperatura, problemet me tretjen, fytin, çrregullimet hormolane, të vjellat dhe bajamet.
Speci djegës dhe shëndeti i zemrës
Por speci djegës është tejet mirëbërës edhe për shëndetin e zemrës.
Konsumi i tij, sipas të dhënave të AgroWeb.org, ka ndikim të menjëhershëm në sistemin e qarkullimit të gjakut, enët e gjakut, arteriet dhe tensionin e gjakut.
Pjesa më e madhe e vlerave në fjalë i atribuohet kapsaicinës, një substancë që shkakton aspektin djegës të specit.
Kapsaicina ka një reputacion të shkëlqyer kundër dhimbjeve, madje përdoret nga industria farmaceutike për kremëra dhe tretësira kundër artritit.
Sa i përket shëndetit të zemrës, disa studime kanë sugjeruar se konsumi i rregullt i specit të kuq djegës ul tensionin e gjakut, kolesterolin dhe pengon trombozën.
Këto probleme mund të shkaktojnë atak në zemër.
Vlerat e tjera të specit djegës
Speci djegës është një burim i shkëlqyer i karotenoidëve, antioksidantë të fuqishëm që parandalojnë dëmtimet e shkaktuara nga radikalet e lira.
Sipas informacioneve të AgroWeb.org, speci i kuq djegës përmban edhe sasi të larta të vitaminës A.
Dy lugë gjelle me spec të kuq djegës në variantin pluhur ofrojnë 47% të dozës së nevojshme ditore të vitaminës A.
Përveç saj, specat e kuq djegës janë një burim shumë i mirë i vitaminës E, C, B6, K, manganit dhe fibrës dietike.
Si ta përdorni specin e kuq djegës
Speci i kuq djegës mund të përdoret i thatë ose i freskët.
Ai mund të përdoret në salca të ndryshme, gatime me mish, supa dhe fasule.
Niveli i nxehtësisë së specit mund të minimizohet duke hequr disa prej farave.
Farat duhen hequr duke përdorur doreza dhe duke shmangur kontaktin me sytë.
Discussion about this post