Ka një debat të fortë në lidhje me këtë temë, nëse televizori i takon dhomës së gjumit apo duhet hequr për të shmangur kontradiktat para gjumit mes çifteve.
Amanda Gibby Peters, një drejtuese e një kompanie interior design jep disa arsyetime që lidhen si me pjesën e arredimit në dhomën e gjumit, po ashtu edhe me shëndetin në përgjithësi.
Pyetja nëse një televizor duhet të qëndrojë në dhomën e gjumit nuk ka një përgjigje të drejtë apo të gabuar. Ashtu si me të gjitha idetë për dhomën e gjumit, kjo është një zgjedhje personale. Por, shumica e ekspertëve të dizajnit nuk e miratojnë idenë e mbajtjes së televizorit në dhomën e gjumit për arsye mirëqenieje të përgjithshme, shkruan Living Etc.
“Së pari, ne duhet të marrim parasysh qëllimin kryesor të dhomave të gjumit. Ne përdorim ngjyra qetësuese dhe dizajne të rregullta sepse e konsiderojmë si një hapësirë ku pushojmë dhe rimarrim energjitë për ditën tjetër dhe një televizor nuk ndihmon në këtë mision,” thotë Hannah Yang, praktikuese e Feng Shui-t (një pseudoshkencë me origjinë nga Kina, e cila përdor forcat energjike për të harmonizuar individët me mjedisin rrethues).
Ekspertët janë të mendimit se shumica e pajisjeve elektronike janë sende që nuk duhen vendosur kurrë në një dhomë gjumi, sepse ato krijojnë një estetikë të rrëmujshme që nuk sjell aspak qetësi.
Studime tregojnë se një gjumë i mirë gjatë natës është domosdoshmëri për një shëndet më të mirë, ndaj të gjitha pajisjet elektronike si tabletat, telefonat inteligjentë dhe kompjuterët nuk duhet të jenë në dhomën e gjumit, pasi drita blu ndikon në cilësinë e gjumit.
“Drita blu nga ekranet, përfshirë edhe televizorin mund të ndërhyjë në ritmet tona cirkadiane, orët biologjike dhe në shëndetin e përgjithshëm. Ekranet mund të shkaktojnë edhe ankth,” shton Yang.
Sipas profesionistëve të arredimit, jo vetëm në aspektin estetik, por edhe në atë të shëndetin, televizori dhe çdo pajisje tjetër në dhomën e gjumit janë një rrezik alarmi për gjendjen mendore dhe fizike, në atë hapësirë që pretendohet të jetë tempulli i relaksit dhe qetësisë.
Discussion about this post