Princ Leka ka njoftuar ditën e djeshme me një deklaratë zyrtare në profilin e tij në Instagram ndarjen nga aktorja Elia Zaharia.
“Përshëndetje miq dhe dashamirës,
Me anë të këtij postimi ju komunikoj zyrtarisht se LTM Princ Leka dhe Elia Zaharia kanë rënë dakord që martesës se tyre t’i jepet fund. Duke qenë se martesa e ka humbur funksionin e saj, kanë parë të udhës ta zgjidhin atë me pëlqim reciprok duke filluar procedurat e nevojshme ligjore. Pavaresisht besimit tek instituti i familjes, LTM Princ Leka Il beson se vlerat e respektit dhe mirëkuptimit reciprok do të përbëjnë bazën e marrëdhenies në vijimësinë e saj, që do të ketë si motiv rritjen dhe edukimin e LSM Princeshës Geraldinë”, shkruhet në foton e parë të postimit.
Më tej në deklaratë theksohet se mirëqenia e vajzës që erdhi në jetë nga marrëdhënia e çiftit është fokusi i të dyve bashkë me përkushtimin për ta bërë të lumtur.
“Mirëqenia shpirtërore dhe fizike e vajzës, LSM Princeshë Geraldinës, do mbetet në qendër të vëmendjes së tyre, të përkushtuar për të siguruar një jetë të lumtur dhe të sigurt për Geraldinën. LTM Princ Leka II nuk do të bëjë deklarata apo komente të mëtejshme dhe kërkon që të respektohet e drejta për privatesi lidhur me këtë çështje”, mbyllet deklarata.
Shënim: LTM – Lartësia e Tij Mbretërore; LSM – Lartësia e Saj Mbretërore
Discussion about this post