Greqia është bërë vendi i parë me shumicë të krishterë ortodoksë që ka legalizuar martesat e të njëjtit seks.
Çiftet e të njëjtit seks tashmë do të lejohen ligjërisht të birësojnë fëmijë pas votimit të së enjtes që u bë në parlamentin grek. Kryeministri Kyriakos Mitsotakis gjatë fjalës së tij tha se ky ligj i ri do të shfuqizojë në mënyrë të guximshme një pabarazi gjinore.
“Ky është një moment historik”, tha për Reuters Stella Belia, kreu i grupit të prindërve të të njëjtit seks “Rainbow Families”. “Kjo është një ditë gëzimi”, vijoi ajo.
Projektligji u miratua nga 176 ligjvënës në parlamentin me 300 vende dhe do të bëhet ligj kur të botohet në gazetën zyrtare të qeverisë.
Megjithëse anëtarët e partisë së qendrës së djathtë të kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, “Demokracia e Re”, abstenuan ose votuan kundër projektligjit, ai fitoi mjaft mbështetje nga opozita e majtë në një shfaqje të rrallë uniteti ndërpartiak, pavarësisht një debati të tensionuar.
“Është një hap shumë i rëndësishëm për të drejtat e njeriut, një hap shumë i rëndësishëm për barazinë dhe një hap shumë i rëndësishëm për shoqërinë greke”, tha 40-vjeçari Nikos Nikolaidis, një historian që iu bashkua një mitingu në favor të projektligjit përpara votimit.
Sondazhet e fundit të opinionit tregojnë se grekët janë të ndarë për këtë çështje. Kisha e fuqishme Ortodokse, e cila beson se homoseksualiteti është një mëkat, ka kundërshtuar me forcë martesën e të njëjtit seks.
Discussion about this post