Nga: Silke Wünsch
Kur Bob Marley doli në qershor të 1980-ës për të kënduar në skenën e Sallës së Sportit në Këln, muzikanti nga Xhamajka i kishte të dukshme shenjat e sëmundjes. Por, shkëlqimi i tij i bëri për vete tetë mijë spektatorët, sidomos kur këndoi këngën Këngën e shpagimit [Redemption Song]: krejt i vetëm në konin ndriçues të një projektori drite, rrethuar nga retë e tymit të krijuara prej qindra cigareve me hashash që kalonin nëpër publik nga njëra dorë në tjetrën.
Një vit më vonë Marley vdiq – më 11 maj 1981, nga sëmundja e kancerit. Ishte 36 vjeç. Por, mesazhet e tij politike dhe shpirtërore janë edhe sot gjallë dhe do të vazhdojnë të jetojnë në këngët e tij.
Bob Marley në botë e lansoi muzikën rege dhe mesazhet e saj në mënyrë aq bindëse, saqë UNESCO-ja e ka futur këtë lloj muzike në trashëgiminë shpirtërore të botës dhe rege sot luhet kudo në botë. Filmi biografik Një dashuri [One Love], do të ngre një përmendore tjetër për Bob Marleyn.
Në moshën 22-vjeçare, Bob Marley zbuloi fenë rastafariane. Kjo fe është krijuar rreth 100 vjet më parë. Si moment krijimi shënohet dita kur Haile Selassie I u kurorëzua perandor i Etiopisë më 2 nëntor 1930. Pak vite më parë, aktivisti xhamajkian Marcus Garvey kishte profetizuar kurorëzimin në Afrikë, të një mbreti të fuqishëm me ngjyrë, i cili do të sillte çlirimin nga prangat për të gjithë njerëzit me ngjyrë. Emri origjinal i Selassies ka qenë Ras Tafari Makkonen. “Ras” do të thotë “Kont” në gjuhën amhare, në gjuhën që flitet në Etiopi. Besimtarët e fesë rastafariane shihnin tek ai ringjalljen e Krishtit dhe atë e trajtonin sikur të ishte zoti i gjallë mbi Tokë. Shumë pjesë të besimit në fenë rastafari i referohen Biblës, sidomos Testamentit të Vjetër.
Besimtarët e fesë rastafariane besojnë në rikthimin shpirtëror në Afrikë, në tokën e premtuar, në Etiopi. Xhamajkianët me ngjyrë janë pasardhës të skllevërve që u sollën me detyrim nga Afrika për në Amerikë dhe në Karaibe. Besimtarët e kësaj feje duan që me ndihmën e besimit të arrijnë një ndryshim kulturor, për të ndryshuar kulturën e krijuar nga skllavërimi i të parëve të tyre. Për të krijuar një jetë sa më të natyrshme dhe afër natyrës, me parimet e dashurisë dhe të paqes, të drejtësisë, unitetit dhe drejtësisë, si dhe luftën kundër Babilonit – një sinonim ky për “botën perëndimore” që ka sjell kaq shumë fatkeqësi për popullin afrikan. Babiloni është sinonim edhe për Xhamajkën, vendin ku u sollën si skllevër të parët e tyre.
Besimtarët e rastafarianë janë kundër çdo lloj forme të nënshtrimit politik, kulturor dhe fetar të njeriut. Kështu, kjo fe është lëvizje mbarëbotërore me ithtarë te njerëzit me ngjyra të ndryshme lëkure. Sot, numri i tyre – në gjithë botën – vlerësohet të jetë 700 mijë deri në një milionë. Duke mbajtur flokë me rrica [dreadlocks] disa besimtarë duan të distancohen me qëllim nga shtresa e lartë e shoqërisë. Rrënjët historike të stilit të tillë të flokëve e kanë origjinën tek luftëtarët e lirisë të mau-mauëve që luftonin në Keni kundër Britanisë kolonialiste. Besimtarët e fesë rastafariane identifikohen me ta. Pirja e marihuanës, e lidhur me ta, shërben më shumë për zgjerimin e vetëdijes sesa për të trazuar mendjen dhe nuk është doemos pjesë e fesë rastafariane.
Bob Marleyn, që vlerësohet të jetë ylli i parë botëror që vjen nga një vend në zhvillim, e bëri të njohur për gjithë botën edhe muzikën rege edhe besimin e rastafarianëve. Kjo muzikë ka lindur në vitet 1960 në Xhamajka, në një kohë kur trazirat sociale dhe gangsterët i bënin të pasigurta rrugët e vendit. DJ-të, që bënin muzikë në rrugë me kastofonat e tyre (diskotekat mobile), e zhvilluan këtë lloj tingulli duke marrë ndikim nga llojet e njohur më mirë – si mento, ska, soul dhe xhaz. Bob Marley ishte pjesëmarrës i rëndësishëm në këto zhvillime.
Ritmi i lëshuar, por edhe shtytës, përshtatet më së miri për përhapjen e mesazheve pozitive të paqes dhe të dashurisë. Tekstet e Bob Marleyt përdorin shumë retorika fetare, megjithatë ato janë tokësore dhe tregojnë për problemet e një pakice të diskriminuar, për getot, skllavërinë dhe padrejtësitë. Besimi rastafarian shoqëron si një emërues të përbashkët këngët e Marleyt.
Çohu, rezisto [Get Up, Stand Up] është krijuar pasi Bob Marley shkoi në Haiti ku, me sa duket, u shokua nga varfëria që sundonte atje nën diktaturën e Duvalierit (1957-1986). Teksti u bën thirrje njerëzve të luftojnë për të drejtat e tyre dhe të mos dorëzohen. Kënga inkurajon njerëzit të kenë besim te gjykimi i tyre, ndërsa shihet si himni jozyrtar i organizatës Amnesty International.
Kënga Eksodi [Exodus] merret me kthimin në Afrikë të besimit rastafarian. Në tekst thuhet: “A jeni të kënaqur me jetën që bëni? E dimë ku po shkojmë, e dimë prej nga vijmë, po ikim nga Babilonia, po shkojmë në vendin e baballarëve … Ekzili është lëvizja e populli të Jahut (Zotit)”.
Në këngën Zimbabveja [Zimbabwe], Bob Marley nxit afrikanët që të çlirojnë Zimbabvenë që – duke qenë koloni britanike – mban emrin Rodezia. Në festimet për pavarësimin e Zimbabvesë, Marley e interpretoi këtë këngë në kohë reale. Ajo u kthye në himnin jozyrtar kombëtar të vendit.
“Pa grua, pa ulërima” [No Woman, No Cry] do të kujtonte njeriu fillimisht se thotë ky titull. Por, Bob Marley donte të thoshte diçka tjetër, diçka ngushëlluese, sepse në gjuhën e banorëve të Trençtaunit, “No Woman, No Cry” do të thotë: “Jo, grua, mos qaj”! Trençtouni është getoja e kryeqytetit xhamajkian, Kingston – lagjja ku u rrit Bob Marley. Kënga pasqyron jetën e atjeshme të karakterizuar nga varfëria dhe bandat e forta familjare që ndihmojnë njëra-tjetrën. Kënga është kompozuar kur Marley ishte ulur në oborr dhe dëgjonte se si qante një grua e lagjes.
Kënga e shpagimit është gjurma që ka lënë pas Marley. Ka shumë incizime të saj, por në fakt ai donte të kishte vetëm një version me zë të pastër dhe kitarë, duke lënë mënjanë instrumentet e tjera, në mënyrë që të rritet intensiteti i këngës. Në këtë këngë Marley citon profetin e fesë rastafariane, Marcus Garvey, i cili në vitin 1937 pati thënë në një fjalim mbajtur në radio: “Emancipojeni veten nga skllavëria mentale; askush tjetër nuk mund t’ua çlirojë mendjen”. Skllavëria e të parëve duhet zhdukur nga kokat e njerëzve; vetëm kur e ka shpirtin të lirë, njeriu është vërtet i lirë. Këto mendime dhe duke e ditur se do të vdiste pas pak kohësh, e frymëzuan Bob Marleyn të kompozonte Këngën e shpagimit, një këngë me të cilën ai jep edhe sot shpresë për shumë njerëz në botë. /DW/
Discussion about this post