Çfarë ndodh me monedhat që hidhen në Fontana di Trevi, të Romës? Aty ku njerëzit shprehin një dëshirë dhe shpresojnë e besojmë më pas në përmbushjen e saj nga shatërvani i mrekullive.
Vizitorët janë të shumtë, monedhat po ashtu.
Monedhat hiqen prej aty për t`u lënë vend të tjerave e të tjerave dhe dërgohen në shoqatën bamirëse katolike, Caritas.
Me to financohen projekte bamirësie për njerëzit në nevojë.
Në vitin 2022 Caritas mblodhi 1.4 milionë euro nga shatërvani dhe pret të ketë mbledhur edhe më shumë në vitin 2023. Roma është një nga qytetet më të vizituara në botë, me 21 milionë turistë në vit.
Nxjerrja e monedhave është një spektakël më vete dhe përfshin punëtorë nga shërbimi rajonal ACEA që balancojnë buzën e shatërvanit të gjerë barok, duke përdorur fshesa të gjata dhe zorrë thithëse.
Monedhat më pas i jepen Caritas-it, ku thahen dhe renditen e numërohen.
Legjenda thotë se nëse hidhni një monedhë me dorën e djathtë mbi shpatullën e majtë në shatërvan, do të ktheheni në Romë.
Shatërvani i Trevit, i krijuar në vitin 1762, mbulon njërën anë të Palazzo Polit në Romën qendrore.
Është vendi ku regjisori italian i filmit Federico Fellini vendosi një nga skenat më të famshme të kinemasë në ‘La Dolce Vita’, me Anita Ekberg që hidhet në shatërvan pas mesnate dhe i bën shenjë Marcello Mastroianni-t që t’i bashkohet.
Hyrja në ujërat e saj sot është e ndaluar dhe turistët përballen me gjoba nëse e bëjnë këtë.
Renditja e monedhave
Dy herë në javë, deri në katër punëtorë mbledhin monedhat, tha Francesco Prisco, një menaxher në ACEA. Shatërvani kullohet për pastrim dy herë në muaj.
‘Operacionet e grumbullimit dhe pastrimit kryhen sa më shpejt që të jetë e mundur në përpjekje për të reduktuar kohën e ndërprerjes së shatërvanit,’ tha ai.
Discussion about this post