Aktorja e mirënjohur Anila Bisha ka bërë një rrëfim shumë të ndjerë në studion e “Se Luan Topi”, ku ka rrëfyer copëza historie përtej petkut të karrierës së saj si aktore. Ajo ka treguar periudhën kur ishte fëmijë dhe vështirësitë që familja e saj ka përjetuar për shkak edhe të humbjes së babit kur aktorja ishte në një moshë shumë të vogël.
Anila ka treguar se shumë pak e mban mend babain e saj të ndjerë i cili humbi jetën në një aksident dhe nuk ka asnjë foto si kujtim me të.
“Unë jam rritur jemtime. Babi im ka ndërruar jetë kur kam qenë 6 vjeç. Më vjen keq se e mbaj mend shumë pak. Ditën e aksidentit e kujtoj më së shumti. U bë një rrëmujë në shtëpi, ai erdhi me këmbët e veta në shtëpi natën. Nuk na linin të dilnim nga dhoma. Na dërguan te një kushëri i tij mua dhe vëllain tim më të vogël dhe erdhëm pasi ishin bërë të shtatat. Ne jemi 6 fëmijë, unë jam më e vogla, motra e madhe ka qenë 18 vjeç. Pamë shpalljen që vendoset te dera e shtëpisë, e kuptuam por nuk na e thanë. Kanë bërë gabim mendoj, sepse përjetuam një traumë të madhe. Erdhëm në shtëpi me qejf se do kishte dalë babi nga spitali. Ajo ishte një traumë për të gjithë familjen. Unë nuk e kam njohur mamin tim në atë moment, kishte vendosur një perçe të zezë në kokë dhe ne shtriheshim në tokë, unë dhe vëllai duke thënë duam babin. Dhe kur na tha hajde te mami, unë u shtanga dhe nuk e njohja. Ajo grua aq e fortë rriti e vetme 6 fëmijë dhe ishte vërtetë një heroinë. Ajo na ka mbajtur gjithmonë afër me njeri- tjetrin.
Jemi rritur me shumë dashuri, na tregonte kush është e mira dhe e keqja, na tregonte si të kujdeseshim. Unë kam marrë vendime për jetën time shumë e re dhe kjo falë mamit motrave dhe vëllait.
Unë nuk kam një foto me babin, vetëm çfarë më tregonin njerëzit, motra, mami. Kemi pasur vështirësi të mëdha në mirëqenie, por jemi të lumtur dhe krenarë që mami jetoi shumë dhe më shumë vite jetoi mirë sesa keq. E kemi mbajtur si princeshë deri në fund. Do ta kisha bërë akoma, vetëm ta kisha edhe pak. Më duket sikur nuk kam bërë aq sa duhet”, është shprehur aktorja.
Discussion about this post