Të gatuash me Aloe e Vera nuk është thjesht stil jetese por një mënyrë e mençur për t’i dhuruar trupit dhe mendjes shëndet të gjithanshëm.
Është bima e mrekullive për një shëndet të plotë e jetë të gjatë.
Aloe Vera ka veti të jashtëzakonshme të cilat ndikojnë drejtpërdrejtë në organizëm krahas aftësive të saj për të mbajtur të kuruar lëkurën në mënyrë natyrale.
Të gjithë e dimë që mbajtja e një vazo me Aloe Vera në shtëpi është fantastike në nxitjen e përdorimit të kësaj bime fantastike në shumë mënyra.
Një prej të cilave, edhe pse pak e dëgjuar por jashtëzakonisht e dobishme është të gatuarit me Aloe Vera.
Studime të ndryshme kanë vërtetuar dobitë e aloe veras për organizmin nëse ato kombinohen në gatime të ndryshme. Kjo, falë vlerave të saj antioksiduese dhe kundër inflamacionit.
Vetitë e Aloe Veras nëse merren përmes ushqimit janë të jashtëzakonshme në parandalimin e shumë sëmundjeve ndërsa u dhuron organeve imunitet të fortë dhe energji natyrale.
Aloe Vera parandalon dhe përmirëson nivelin e diabetit. Është e vërtetuar se aloe vera redukton nivelin e lartë të glukozës në gjak si dhe ndihmon përmirësimin e sistemit tretës.
Forma më e mirë e përfshirjes së Aloe Verës në kuzhinë është në përgatitjen e lëngjeve të ndryshme, limonatave apo edhe xhelatinave të shijshme
AgroWeb.org u sugjeron më poshtë disa receta fantastike në përgatitjen e shurupeve, limonatave dhe xhelatinave me Aloe Vera.
Limonatë me Aloe Vera e Mjaltë
Për katër persona
- Dy lugë gjelle me xhel aloe vera
- Lëngu i shtrydhur i dy kokrrave limonave, në dy gota të ndryshme
- 3 gota me ujë
- Dy lugë gjelle me mjaltë
Përgatitja
Vendosni xhelin e aloas në njërën nga gotat e lëngut të limonit të shtrydhur dhe lëreni aty për 15 minuta.
Ndërkohë, në një kanë prej qelqi kombinoni ujin, lëngun e limonit e ruajtur në gotën tjetër dhe mjaltin.
Përzijeni me kujdes derisa mjalti të shkrijë dhe të njëtrajtësohet me ujin.
Provojeni për ëmbëlsi, nëse e preferoni pak më të ëmbël mund të shtoni edhe pak mjaltë tjetër.
Përmes një site të vogël kuzhine, nxirreni xhelin e aloas nga lëngu i limonit dhe shpëlajeni me ujë të rrjedhshëm.
Më pas, hidheni atë në kanën e ujit me limon e mjaltë dhe përzjeheni ose tundeni për dy ose 3 minuta.
Kjo limonatë mund të mbahet deri në tre ditë në frigorifer.
Narden me Mollë dhe Aloe Vera
Një filxhan çaji me copa xheli aloe vera
Dy filxhanë çaji me shurup ose lëng molle.
Një filxhan i vogël sheqer
Dy lugë gjellë lëng limoni
Dy pako me pudër xhelatine (i gjeni në çdo supermarket)
Një filxhan i vogël kos
Një lugë kafeje me vanilje pluhur
Përgatitja
Vendosni një tigan në nxehtësi mesatare, hidhni së bashku sheqerin, lëngun e limonit dhe dy lugë gjelle me ujë, trazojini derisa sheqeri të shkrijë.
Hidhni copat e xhelit të aloe veras dhe lerëni të zjejë derisa aloe të bëhet si masë e fortë për maksimumi 10 minuta.
Hiqeni nga zjarri, copat e aloas bashkë me sherbetin lëreni të ftohet.
Më pas, në një tas mesatar hidhni një filxhan me ujë dhe pluhurin e xhelatinës dhe lëreni të qendrojë ashtu për 5 minuta.
Ndërkohë, në një tigan mesatar hidhni lëngun e mollës dhe lëreni të vlojë.
Më pas lëngun e valuar të mollës hidheni në përzjerjen e xhelatinës dhe trazojeni derisa masa të bëhet e gjitha në formë kremoze.
Hidheni masën e përftuar në tasa dhe lerëni të ftohet në frigorifer për 1 apo 2 orë.
Pasi të ftohen, në secilin prej tasat shtojmë nga një lugë me aloe veran e gatuar si dhe pak nga sherbeti i saj.
Lëng Frutash me Aloe Vera
Pritini gjethet sa më pranë pjesës kryesore të bimës.
Gjethet ndahen në gjysmë sipas gjatësisë.
Sigurohuni ta keni hequr cipën nga gjethet, pasi cipa e jashtme është e rëndë për stomakun.
Nxirreni xhelin e aloes nga gjethet duke përdorur një thikë. Pjesët e xhelit që keni përftuar i vendosni në mikser dhe i punoni derisa të merrni lëngun e aloes.
Filtrojeni lëngun që ta pastroni nga çdo fibër e tepërt që mund t’ju ketë kaluar gjatë heqjes së cipës.
Tashmë jeni gati për fazën e fundit, atë të kombinimit me lëngun e shtrydhur të frutave tuaja.
Mund të shtoni një lugë mjaltë, lëng portokalli, molle apo karrote. Përzijini së bashku dhe shijojini./AgroWeb.org
Discussion about this post