Nga Ilva Mile
Komentet e mësipërme shoqërojnë lajmin tragjik të vetëvrasjes së një adoleshenteje në Roskovec dy ditë më parë dhe dua t’i kushtoj vëmendje të veçantë për një arsye shumë të rëndësishme: sepse pasqyrojnë mungesë të theksuar deshire për ndërgjegjësim dhe mite/të pavërteta të dëmshme që ekzistojnë rreth fenomenit të vetëvrasjes.
Mendësia “le të mos flasim për vetëvrasjen se të folurit rreth saj është tmerrues dhe mund të shtyjë më shumë njerëzit vulnerabël” është në fakt një ndër arsyet themelore pse vetëvrasja ndodh.
Lajmi i mirë është se vetëvrasja mund të parandalohet por parandalimi nuk arrihet duke shmangur të folurin rreth fenomenit, duke pretenduar që nëse nuk i kushtojmë vëmendje, magjikisht nuk do të ndodhë më apo duke e parë si një akt ekstrem apo të turpshëm që nuk na ndikon në apo të afërmit tanë!
Rruga drejt parandalimit është të folurit shpesh dhe në mënyrë edukuese mbi këtë fenomen “tabu”, njerëzit që kryejnë vetëvrasje nuk e ndërmarrin këtë hap në mënyrë të papritur apo të menjëhershme, janë nën trysninë e një dhimbjeje të vazhdueshme të cilën nuk dinë si ta ndalin. Këta njerëz nuk kryejnë vetëvrasje sepse lexojnë në gazetë apo dëgjojnë në lajme raste vetëvrasjesh por sepse askush nuk merr kohën t’i kushtojë rëndësi gjendjes së tyre.
Nëse dikush do t’i pyeste në mënyrë direkte mbi si ndihen dhe çfarë janë duke menduar, kjo mund të shpëtonte jetë. Nëse do edukonim veten mbi arsyet që qëndrojnë pas këtij akti si dhe si mund të identifikojmë shenja shqetësuese tek të afërmit dhe miqtë, kjo mund të shpëtonte jetë. Nëse do pranonim të ndërgjegjësoheshim në vend që të kërkonim në mënyrë kaq injorante që lajmet e vetëvrasjeve të mos transmetohen dhe të pretendohet që nuk ndodhin, kjo mund të shpëtonte jetë.
Të mos folurit rreth një fenomeni nuk e redukton apo zhduk atë dhe kjo mendësi është veçse fryt i miteve dhe stigmës që shoqërojnë këto tema kaq të dhimbshme por njëkohësisht shumë të rëndësishme.
Discussion about this post