Elhaida Dani, përfaqësuesja e Shqipërisë në Eurovision 2015 dhe një nga këngëtaret më në zë të vendit, do të jetë drejtoresha artistike e Festivalit të 63-të të Këngës. Vetë Elhaida Dani fitoi festivalin në edicionin e vitit 2014, që i dha një pasaportë për të udhëtuar në Vjenë. Dhjetë vite më vonë, këngëtarja kalon në anën tjetër të skenës dhe do të jetë një nga regjisorët.
Radio Televizioni Shqiptar synon që kontrata të zgjasë më shumë se një vit. Elhaida Dani, shumë e emocionuar për përgjegjësinë e saj të re, siguron se gjithë eksperiencën e saj personale dhe profesionale do ta përcjellë në Festivalin e Këngës, për të cilin tashmë ka nisur puna. “Është kënaqësi dhe përgjegjësi e madhe. Jam lindur dhe rritur në Festivalin e RTSH dhe falë tij jam ngjitur edhe në skenën e Eurovizionit. E di se çfarë do të thotë ky festival për artistët shqiptarë. Unë e di rëndësinë. Do të bëj maksimumin në këtë edicion, por edhe në ato të ardhshmet. Është një mundësi e artë për t’i treguar Shqipërisë vlerat më të mira. Synimi ynë është të zgjedhim një ekip sa më profesional, sa më serioz, për të bërë një punë të shkëlqyer në këtë festival dhe në ato të ardhshmet.”, thotë këngëtarja.
Discussion about this post