Keni dëgjuar ndonjëherë për glutenin? Mbase keni parë disa produkte me markën ‘pa gluten’ ndërkohë që në botë po flitet gjithnjë e më shumë për sasinë e glutenit që duhet konsumuar dhe për idenë se një dietë pa gluten mbase është kura e çdo sëmundjeje. Në tregje gjen plot produkte pa gluten.
Shumë prej nesh përzgjedhin produkte pa gluten, por pa ndonjë arsye të mirëfilltë. A është e vërtetë që gluteni shkakton dëme të pariparueshme në trupat tanë? Apo dieta pa gluten është thjesht një tjetër lëvizje e modës e nisur nga njerëzit e famshëm, të cilët këshillojnë edhe përdorimin e produkteve organike apo superushqimet ekzotike që pastrojnë organizmin?
Më poshtë do të gjesh përgjigjet e duhura për të gjitha pyetjet në lidhje me glutenin, në mënyrë që të jesh në gjëndje të marrësh vendimin e duhur.
Çfarë është gluteni?
Le të nisim me gjërat fillestare. Gluteni është një lloj proteine që kryesisht gjendet tek gruri dhe drithëra të tjerë si elbi, bullguri dhe thekra. Por kjo nuk do të thotë që gluteni nuk është i pranishëm edhe në produkte si makaronat, buka apo biskotat.
Gluteni gjendet kudo; tek balsamet e buzëve deri tek salcat e përpunuara të sallatave, vitaminat apo erëzat.
3 diagnozat kryesore
Sëmundja Celiake
Sëmundja Celiake (apo njohur ndryshe si sëmundja e Celiakis) është një sëmundje digjestive, e cila prek 1 në 133 njerëz. Disa prej simptomave të kësaj sëmundjeje janë fryrja abdominale, diareja dhe konstipacioni, të cilat shpesh diagnostikohen gabimisht si probleme të zakonshme të sistemit tretës, çka do të thotë që 80% e pacientëve nuk diagnostikohen siç duhet dhe si rrjedhojë nuk kurohen.
Disa prej pasojave më serioze të sëmundjes Celiake (celiac disease) përfshijnë: aneminë, osteoporozën, rënien në peshë dhe kequshqyerjen.
Ndjeshmëria ndaj Glutenit
Tani, le të flasim për diçka të cilës shumë i referohen si Ndjeshmëria ndaj Glutenit, një simptomë e ndarë nga Sëmundja Celiake, e cila shfaqet në formën e: lodhjes mendore, mungesës së energjisë, fryrjes, dhimbjeve abdominale, diaresë, konstipacionit pas konsumimit të produkteve të grurit.
Ka patur debate të shumta, si në komunitetin mediatik ashtu edhe në atë mjekësor në lidhje me këtë çështje.
Së pari, ndryshe nga sëmundja celiake, për ndjeshmërinë ndaj glutenit nuk ka një test të mirëfilltë diagnostikimi. Mënyra e vetme se si ndjeshmëria ndaj glutenit mund të kuptohet është nëse mjekët kanë përjashtuar problemet me tioridet apo të aparatit tretës si dhe sëmundjen celiake apo alergjinë ndaj grurit nga lista e sëmundjeve që një pacient mund të ketë.
Së dyti, komuniteti mjekësor për momentin është i ndarë nëse simptomat e përshkruara më lart në të vërtetë shkaktohen nga intolerance ndaj glutenit apo ndodhin si pasojë e një reagimi ndaj një sheqeri specifik apo përbërësi kimik që gjendet tek gruri, i njohur si FODMAP.
Alergjia ndaj Grurit
Së fundmi, shumë njerëz që pretendojnë të jenë intolerantë ndaj glutenit në të vërtetë vuajnë nga alergjia ndaj grurit. Si në rastin e çdo alergjie tjetër të shkaktuar nga ushqimi, simptomat e saj përfshijnë: irritimet në lëkurë, kruarjet, puçrat, irritimet në sy, vështirësi në frymëmarrje etj. Për njerëz të tillë, sugjerohet një dietë pa produkte gruri, që do të thotë se ata munden akoma të konsumojnë produktet e elbit apo thekrës.
Mbani mend, para se të bëni vetë diagnozën e ndjeshmërisë ndaj glutenit dhe të merrni vendimin që të mos përdorni gluten, duhet të bëni ekzaminimin dhe të kuptoni nëse keni sëmundjen celiake apo alergjinë ndaj grurit, si dhe të bëni një check-up të plotë të trupit.
Kujdes! Nëse keni një prej tre diagnozave pra; Semundjen Celiake, Ndjeshmëri ndaj Glutenit apo Alergji ndaj grurit, në asnjë mënyrë nuk duhet të konsumoni ndonjë produkt që përmban gluten. Veçanërisht njërëzit që vuajnë nga Sëmundja Celiake nuk duhet të konsumojnë asnjëherë produkte me përmbajtje gluteni.
Rreziqet e produkteve pa gluten
Një studim i publikuar në British Medical Journal, shpjegonte se njerëzit që konsumojnë drithëra me gluten kanë më pak gjasa për të qenë mbi peshë, të vuajnë nga diabeti, sëmundjet e zemrës, disa lloje kanceri siç është ai i zorrës së trashë.
Drithërat përmbajnë 31 antioksidantë të ndryshëm që ndihmojnë në parandalimin e inflamacionit të mishrave të dhëmbëve dhe kanë efekte pozitive për menaxhimin e peshës.
Për fat të keq, vendosja e logos “pa gluten’ tek paketimi i produkteve të ndryshme është kthyer në modë. Duke mos marrë parasysh vlerat ushqimore të një produkti, reklamat na joshin të provojmë patate të skuqura pa gluten (edhe pse patatet janë natyralisht pa gluten) apo ëmbëlsira pa gluten.
Në të vërtetë, produktet pa gluten kanë përgjithësisht nivele të ulëta të fibrës që është thelbësore për të garantuar një tretje normale të ushqimit. Këto produkte janë të pasur edhe me karbohidrate të këqija e sheqerna të pashëndetshëm që ndikojnë në rritjen e peshës.
Nëse diagnostikohesh me sëmundjen celiake apo ndjeshmëri ndaj glutenit, përpiqu ta pasurosh dietën me produktet e mishit, bulmetit, frutat, perimet, arrat, farat, bishtajoret, drithërat pa gluten siç janë orizi i kafenjtë apo kuinoa; evito produktet e përpunuara, shih me vëmëndje etiketat dhe zgjidh produkte që nuk kanë karbohidrate apo sheqerna të shtuar.
Mund të gjesh produkte pa gluten në supermarketet cilësore apo në dyqane të dedikuara ku janë edhe produktet bio, dietetike apo për diabetikët.
Nga ana tjetër mos u përpiq t’i qëndrosh një diete tërësisht pa gluten, sepse shpesh ndodh që efektet e një diete të tillë të jenë më negative se përfitimet ndaj saj, siç mund të ndodhë në rastet e supozuara të humbjes në peshë për shkak të kësaj diete.
Mbani mend, gjëja kryesore që mund të bëni për një trup të shëndetshëm është të mos e teproni!
Discussion about this post