Gisèle Pélicot, një grua franceze, e cila u përdhunua nga burra të panjohur për më shumë se 10 vjet pasi drogohej nga i shoqi, tregoi para gjykatës tmerrin e saj kur mësoi se si ishte abuzuar.
Pélicot, e cila aktualisht është 72 vjeçe, dha dëshmi në ditën e tretë të gjyqit në Avignon të Francës juglindore. Dokumentet para gjykatës tregojnë se burri i saj 71-vjeçar Dominique Pélicot,pranoi në polici se ishte i kënaqur duke parë burra të tjerë të bënin seks me gruan e tij pa ndjenja.
Shumë të pandehur në këtë rast kundërshtojnë akuzën e përdhunimit, duke pretenduar se ata mendonin se po merrnin pjesë në një lojë seksuale konsensuale. Por Gisèle Pélicot i tha gjykatës se ajo “kurrë nuk ishte bashkëpunëtore” në aktet seksuale. Ky është një rast që ka tronditur Francën, aq më tepër që gjyqi po zhvillohet publikisht.
Gisèle hoqi dorë nga e drejta e saj për anonimitet për të zhvendosur “turpin” tek të akuzuarit. Ajo tha se po fliste për “çdo grua që është droguar pa e ditur… në mënyrë që asnjë grua të mos vuajë”.
Ajo tha se policia i shpëtoi jetën kur hetoi kompjuterin e burrit të saj, Dominique Pélicot në nëntor 2020, pasi një roje sigurie e kapi atë duke filmuar poshtë fundeve të grave në një supermarket pranë shtëpisë së tyre në një fshat në Francën jugore.
Policia tha se gjeti një skedar të etiketuar “abuzime” në një USB të lidhur me kompjuterin e tij që përmbante 20,000 imazhe dhe filmime të gruas së tij duke u përdhunuar pothuajse 100 herë, raporton Guardian.
Duke rrëfyer momentin në nëntor 2020 kur policia i tregoi për herë të parë imazhet e saj të një dekade abuzimi seksual të orkestruar nga bashkëshorti i saj, Pélicot, e cila ishte droguar deri në pavetëdije, i tha gjykatës: “Bota ime u shpërbë. Për mua, gjithçka po shkatërrohej. Gjithçka që kisha ndërtuar mbi 50 vjet.”
Ajo tha se mezi e kishte njohur veten në imazhe, duke thënë se ishte e palëvizshme. “Unë u flijova në altarin e vesit. Më konsideronin si një kukull lecke, si një qese plehrash. Kur e sheh atë grua të droguar, të keqtrajtuar, një person të vdekur në shtrat – sigurisht që trupi nuk është i ftohtë, është i ngrohtë, por është sikur të kem vdekur”.
“Oficeri i policisë më pyeti për jetën time seksuale,” tha ajo në gjykatë. “I thashë se nuk kisha praktikuar kurrë shkëmbimin e partnerëve apo treshe. Thashë se isha një grua me një burrë. Por pas një ore oficeri tha: “Unë do t’ju tregoj disa gjëra që nuk do t’ju duken të këndshme”. Ai hapi një dosje dhe më tregoi një fotografi. “Nuk e njoha as burrin as gruan që flinte në shtrat. Oficeri pyeti: ‘Zonjë, a është ky shtrati dhe komodina juaj?’
“Ishte e vështirë ta dalloja veten të veshur në një mënyrë të panjohur. Pastaj më tregoi një foto të dytë dhe një të tretë. I kërkova të ndalonte. Ishte e padurueshme. Unë isha në shtratin tim dhe një burrë po më përdhunonte. Bota ime u shkatërrua”, deklaroi ajo.
Gisèle tha se deri atëherë martesa e tyre kishte qenë përgjithësisht e lumtur dhe ajo dhe burri i saj kishin kapërcyer një sërë vështirësish financiare dhe shëndetësore.
Discussion about this post