Një grup shkencëtarësh në Izrael kanë vendosur që të provojnë se kufjet mund të përdoren për të përgjuar njerëzit.
Sipas portalit mbi teknologjinë Wired, një grup ekspertësh nga Universiteti Ben Gurion realizuan se hakerat mund të gjejnë një mënyrë për të hyrë në një kompjuter, për të bërë regjistrime audio, madje edhe kur mikrofonat e pajisjes janë hequr apo çaktivizuar.
Për të riaktivizuar mikrofonat në kufjet për t’i përdorur këto të fundit si mikrofonë, u përdorën viruse eksperimentale dhe shkencëtarët e realizuan eksperimentin e tyre duke konvertuar vibrimet e ajrit në sinjale elektromagnetike, për të kapur audio nëpër dhomë.
“Njerëzve nuk u shkon ndërmend se mund të ketë rrezik përgjimi nga kufjet. Edhe nëse e heq mikrofonin e kompjuterit, nëse përdorni kufje ekziston rreziku që t’ju regjistrojnë”, shprehet Morderchai Guri që drejtoi punën kërkimore.
Duke qenë se çipët RealTek janë të zakonshëm, një sulm i tillë hipotetikisht do të punonte në çdo kompjuter desktop, Windows apo Mac, ashtu sikurse tek laptopët.
Discussion about this post