Atmosfera festive e fundvitit që nis me zbukurimin e qyteteve apo shtëpisë, duket sikur çdo vit nis më herët. Ky fenomen i “parakohshëm” i festave është gjithnjë e më i dukshëm këtë vit, dhe duket sikur jemi në prag të një periudhe të gjatë dhe të bukur festimesh me rastin e fundvitit. Kjo vërehet edhe në rrjetet sociale, kështu që nuk mund ta keni kaluar pa e vënë re.
Në kënde të ndryshme të qytetit, në reklamat në televizione, në arredimet festive në dyqanet e mëdha, restorante etj, kudo ndihet një klimë festive. Kësaj i shtohen edhe personazhe të famshëm që kanë treguar se si i kanë zbukuruar ambientet e shtëpive. Personazhe si Iva Tiço, Eraldo Rexha dhe Manjola Nallbani kanë shpërndarë imazhe të bukura të arredimeve të tyre, ndërsa këngëtarë dhe influencues të tjerë si Xhensila Myrtezaj, Elita Rudi dhe GJIKO kanë publikuar fotografitë “kartolinë” me rastin e festave.
Pse festat duket sikur kanë ardhur më herët këtë vit?
Për shumë njerëz, kjo periudhë e gjatë festive ka të bëjë edhe me nevojën për të shpëtuar nga rutina e zakonshme dhe për të krijuar një atmosferë gëzimi dhe ngrohtësie që përfshin çdo aspekt të jetës sonë, shkruan Living. Në një botë të mbushur me stres dhe përgjegjësi të përditshme, zbukurimi i shtëpisë me drita dhe orendi të tjera mund të krijojë një ndjenjë kënaqësie të shpejtë, e cila ka efekte pozitive në psikologjinë e individëve. Siç thotë psikologia Deborah Serani, “Dekorimi i Krishtlindjeve rrit dopaminën, një hormon i ndjenjës së mirë, dhe sjell gëzim”. Dhe ndoshta, një nga arsyet pse gjithnjë e më shumë njerëz vendosin të zbukurojnë më herët është se kjo krijon një mundësi për të rikthyer kujtime të bukura të fëmijërisë dhe për të ndarë një atmosferë pozitive me të tjerët.
Përveç kësaj, duhet përmendur se atmosfera festive nxitet edhe nga bizneset. Shpejtësia e transformimit të atmosferës festive është gjithashtu një pasqyrë e shpenzimeve që vijnë me periudhën festive. Ky fenomen, që njihet si “Christmas creep”, është një trend që po merr gjithnjë e më shumë hov. Reklamat që shfaqen në muajin tetor dhe nëntor janë një reflektim i një praktike që përfiton nga mundësitë e shpenzimeve të larta gjatë fundvitit, kur konsumatorët janë gati të shpenzojnë më shumë për dhurata, ushqim, dhe dekorime.
A do humbasë tradita e vendosjes së bredhit të dielën e parë të dhjetorit?
Një nga traditat më të njohura që lidhen me periudhën festive është vendosja e bredhit të Krishtlindjeve. Vitet e fundit, një pyetje që mund të ngrihet është: A do të respektohet tradita e vendosjes së bredhit në “dielën e parë të dhjetorit”? Të shumtë janë ata që e vendosin bredhin e Krishtlindjeve shumë më herët, madje duke shpërndarë foto dhe video në rrjetet sociale. A është kjo një shenjë e humbjes së traditave, apo thjesht një mënyrë për të shijuar sa më shumë periudhën festive?
Në një shoqëri që gjithmonë e më shumë synon ta shijojë çdo moment të jetës, një periudhë e gjatë festash mund të sjellë të mira. Edhe pse disa mund të argumentojnë se kjo është një humbje e “magjisë” të Krishtlindjeve, shumë të tjerë e shohin si një mundësi për të përjetuar më shumë lumturi dhe për të shpërndarë më shumë dashuri dhe ngrohtësi në këtë kohë të vitit./Living
Discussion about this post