Gjatë një interviste me Aulona Mustën në emisionin “Natën me Aulonën”, këngëtarja e njohur Eneda Tarifa zbuloi një periudhë të vështirë në jetën e saj, duke pranuar se ka kaluar një depresion të lehtë dhe momente ankthi, të cilat nuk i kishte kuptuar në kohë.
“Te psikologu nuk kam qenë asnjëherë. Kam tentuar disa herë, kam lënë edhe orare, por gjithmonë në moment të fundit më është ndërruar mendja. Kishte një periudhë kur unë mund të kem kaluar një depresion dhe nuk e dija. Vetëm më vonë e kuptova që shenjat dhe simptomat që kisha lidheshin me depresionin, megjithëse ishte i lehtë,” – tha ajo.
Eneda ndau se gjatë kësaj kohe kishte përjetuar frikë dhe ankth për jetën, duke u ndier e pasigurt dhe duke pyetur veten për qëllimin e ekzistencës. Sidoqoftë, këngëtarja theksoi se periudhën e vështirë e kaloi përmes terapisë muzikore, duke u mbështetur në pasionin e saj për artin.
E pyetur se përse nuk i është drejtuar një psikologu, Eneda u shpreh:
“Sepse nuk kam qenë gati të pranoj që dikush tjetër duhet të dëgjojë çfarë kam brenda meje. Kjo ka qenë arsyeja kryesore, por edhe fakti që jetojmë në Shqipëri, ku ende ekziston një tabu për shkuarjen te psikologu. Megjithatë, kush ka nevojë ta bëjë, duhet ta bëjë.”
Këngëtarja theksoi rëndësinë e kujdesit për shëndetin mendor dhe inkurajoi publikun të mos hezitojë të kërkojë ndihmë kur ka nevojë, pavarësisht paragjykimeve që ende mbizotërojnë në shoqëri.
Discussion about this post