NGA: DAVINA McCALL
Menopauza është më shumë se një libër, është një lëvizje. Një kryengritje. Nuk e di për ju, por është shumë e çuditshme, sepse e kujtoj qartësisht çastin e parë kur më filluan simptomat e paramenopauzës. Ngjan pak me ato ngjarjet e rëndësishme që ndodhin në jetë, si për shembull vdekja e princeshës Diana ose Barak Obama që u bë president i Shteteve të Bashkuara. Më kujtohet ku isha, ç’po bëja, çfarë kisha veshur, si i kisha flokët… Kujtoj gjithçka nga ai çast.
Isha 44 vjeçe kur filloi. Më kujtohet, sepse ishte shumë e çuditshme. Kjo është mënyra më e mirë për ta përshkruar. Kam dëgjuar edhe gra të tjera që e përshkruajnë kështu: “Duket sikur humba diçka nga vetja. Ndryshova!”. Nuk mund ta përcaktoj plotësisht se si ndryshova, por është e sigurt që ndodhi. Nuk ndihesha më njësoj.
Ishte viti 2012 dhe isha në një xhirim të “Garnier”-it, në Pragë, duke punuar me një regjisor të mrekullueshëm. Ai më kërkoi të lëshoja bishën e brendshme dhe të isha e çlirët me lëvizjet. Mbaj mend që ndihesha e vetëdijshme dhe në siklet. Isha më në siklet se normalisht dhe pyesja veten pse ndodhte kështu. Çdo natë, kur shkoja në shtrat… Isha 3 net atje dhe hoteli ishte shumë i këndshëm. Çarçafët ishin të bukur e të pastër, por unë zgjohesha në mes të natës dhe i shikoja qull. Në gropën e vogël të qafës kisha një pellg me ujë dhe dridhesha nga të ftohtët, sepse në fillim kisha vapë, pastaj djersitja, pastaj kisha ftohtë. Detyrohesha të ngrihesha dhe të ndërroja çarçafët. Kjo më dukej e tmerrshme, sepse shumë kohë më parë kisha qenë përdoruese e heroinës. (Në fillim të të 20-ave.) Herën e fundit që isha djersitur ashtu, kishte ndodhur gjatë periudhës që lashë heroinën. U revoltova shumë. Me gjithë atë djersitje, trupi im u bë si një kumbull e thatë.
Discussion about this post