Një nga të vetmet siguri në botën e tendencave është se moda e viteve ’70 do të mbetet gjithmonë e pranishme, vit pas viti, sezon pas sezoni. Dhe kjo ndodh për disa arsye. Së pari, magjepsja që kjo dekadë ka ushtruar gjithmonë në imagjinatën kolektive. Së dyti, sepse është e gjithanshme dhe mund të adoptohet lehtësisht në stilin modern.
Më e rëndësishmja, gjatë këtyre dhjetë viteve, u zhvilluan kaq shumë stile të ndryshme, që shpesh u mbivendosën ose evoluan njëra pas tjetrës. Kjo krijoi një diversitet të gjerë, duke ofruar diçka për çdo grua. Me fjalë të tjera, secila prej nesh mund të gjejë diçka frymëzuese nga vitet e arta ’70, ta riformulojmë sipas stilit personal dhe ta bëjmë pjesë të gardërobës sonë.
Stili boho i “hipive”
Duke filluar në fundin e viteve ’60, lëvizja pacifiste dhe revolucionare e hipive solli me vete një stil unik veshjeje: këmisha të lirshme, funde të gjata me lule, fustane në stilin “prairie”, por edhe xhaketa ushtarake, pantallona me bel, sandale lëkure dhe aksesorë të punuar me dorë. Dashuria e lirë, lufta kundër racizmit dhe përvoja e muzikës ishin disa nga tiparet që shoqëruan këtë stil.
Gjatë viteve ’70, estetika hippie u transformua në një stil më të rafinuar: fustane të gjata me printe lulesh, bluza të punuara me dantellë, sandale me platformë dhe çanta kadife. Gjithashtu, ndikimet nga kultura të ndryshme u bënë pjesë e modës, duke sjellë monile navajo, bizhuteri marokene, copa prej mëndafshi indian dhe motive nga Lindja e Mesme.
Ana më elegante e viteve ’70
Përveç ndikimeve boho dhe politike, moda e viteve ’70 solli gjithashtu një stil më elegant e të pastër. Këtë e ilustrojnë ikonat e modës si Jackie Kennedy Onassis dhe Bianca Jagger, të cilat u kthyen në referenca të padiskutueshme të elegancës.
Jackie O’ ishte e njohur për palltot e gjata me jakë të gjera, syzet e mëdha të diellit dhe shallin e mëndafshit. Ndërsa Bianca Jagger shquhej për kostumet me prerje androgjene, pelerinat dhe kapelat elegante. Ky stil vazhdon të frymëzojë edhe pasarelat e sotme, duke u reflektuar madje edhe në koleksionin pranverë-verë 2025 të Gucci.
Magjia e epokës disco
Një nga momentet kulmore të viteve ’70 ishte lindja e disco dance. Klubet si Studio 54 u bënë epiqendra e kësaj kulture, ku moda kishte po aq rëndësi sa edhe muzika. Veshjet e epokës disco karakterizoheshin nga fustane me silueta të rrjedhshme, pantallona të ngushta, bluza me xixa, xhaketa të mbushura me pupla dhe kapele të guximshme. Yjet si Bianca Jagger, Jerry Hall, Cher dhe Diana Ross i dhanë hijeshi këtij trendi, i cili ende vazhdon të frymëzojë botën e modës.
Revolucioni i stilit punk
Nga Amerika në Britani, fundi i viteve ’70 solli një rryme krejt të ndryshme: punk. Kjo lëvizje ishte e lidhur ngushtë me muzikën dhe kishte një estetikë që sfidonte normat shoqërore. Punkistët preferonin t-shirt të grisura, gjilpërë sigurie si aksesorë, modele flokësh të ekzagjeruara dhe lëkurë me thumba. Ky stil u bë i njohur falë figurave si Malcolm McLaren dhe Vivienne Westwood, të cilët formësuan jo vetëm modën punk, por edhe ndikuan fuqishëm industrinë e modës moderne.
Punk-u vazhdon të jetë një frymëzim i madh për brand-e si Versace, Comme des Garçons dhe Junya Watanabe, duke e modernizuar me një qasje luksoze.
Konkluzioni
Moda e viteve ’70 është aq e pasur dhe e larmishme, sa gjithmonë do të ketë diçka për të gjithë. Nga boho dhe eleganca minimaliste deri te shkëlqimi disco dhe rebelimi punk, kjo dekadë vazhdon të frymëzojë modën e sotme. Dhe ky ndikim nuk tregon asnjë shenjë zhdukjeje!/Living
Discussion about this post