Drejtori kreativ i Valentinos organizoi shfaqjen e koleksionit Vjeshtë/Dimër brenda një konstruksioni distopik në stilin e David Lynch të një banjoje publike. Hapësira ishte e mbuluar me drita të kuqe, ndërsa në mure ishin të rreshtuar lavamanë të thjeshtë, pasqyra dhe dyer kabinash tualeti. Të ftuarit nuk i rezistuan tundimit për të parë brenda kabinave, vetëm për të zbuluar se ato ishin bosh.

Por shfaqja nisi me një tingull të fortë shpëlarjeje (si në tualete) që ushtoi nëpër altoparlantë, ndërsa disa këmbë të zbathura u shfaqën në tokë, poshtë derës së çdo kabine. Dritat u fikën dhe ndezën, dhe pas disa sekondash, muzika techno shpërtheu. Modele të moshave të ndryshme filluan të ecnin përmes kabinave, duke mbyllur dyert pas tyre. Muzika ndërpritej herë pas here nga trokitja e takave në dysheme dhe nga tinguj të tjerë që mund të dëgjohen në një tualet publik.

Pavarësisht ambientit, veshjet nuk kishin asgjë të përbashkët me një vizitë në banjo. Koleksioni i Michele ishte një eksplorim i fantazisë dhe glamurit të shfrenuar—specialiteti i tij. Banjoja ishte thjesht një mënyrë për të eksploruar idenë dhe fuqinë e intimitetit, shpjegoi ai në konferencën pas shfaqjes. “Ka të bëjë me aktin e të veshurit, me atë se kush jemi,” tha ai. “Ka një marrëdhënie të ngushtë mes nesh dhe rrobave, dhe po ashtu, krijimet e Valentino-s kanë gjithmonë një intimitet të veçantë—një marrëdhënie të thellë me krijimin.”

Michele u frymëzua nga ajo që ai e quajti “epoka e artë” e Valentino-s, vitet 1960 dhe 1980. Ai solli në jetë trupore të tejdukshme dhe veshje intime të zbukuruara me dantella delikate, në nyje të përdredhura dhe fjongo elegante.
Në disa raste, ai shtoi thekë prej gëzofi në vende të papritura të fustaneve dhe palltove, duke eksperimentuar me teksturat dhe siluetat. Ai krijoi veshje të jashtme të guximshme, disa me supe të mëdha, ndërkohë që e balancoi peshën e tyre me pëlhura të lehta.

Koleksioni vazhdoi të eksploronte estetikën e re të çantave dhe këpucëve në stil vintage, dhe shumica e dukjeve u plotësuan me kapela të holla.
“Brenda dhe jashtë” ishte një frazë që Michele përdori disa herë për të përshkruar koleksionin, duke shpjeguar se këto krijime ishin një lojë mes mbulimit dhe zbulimit. “Më pëlqen lakuriqësia,” tha ai me një buzëqeshje të lehtë. “Zbulimi i shpinës dhe vitheve është diçka që e gjejmë në skulpturat antike në Romë. Unë jam rritur me këtë imazh të trupit të zhveshur, por tani të rinjtë e perceptojnë ndryshe—ne jemi gjithmonë të zhveshur në Instagram.”

Përdorimi i banjove publike si skenë ishte një mënyrë për të krijuar një hapësirë të përbashkët, një vend ku ndodhin momente intime midis nesh dhe të panjohurve. Ndërsa rrobat ishin një manifestim i lirisë për të zgjedhur se sa duam të zbulojmë veten tonë—si fizikisht, ashtu edhe emocionalisht./Living.al
Discussion about this post