Janë të shumtë ata që emocionohen kur vjen periudha e merkatos së futbollit, siç janë të shumtë dhe ata që emocionohen kur në botën e modës bëhen ndryshime lart e poshtë, ashtu siç edhe po ndodh kohët e fundit.
Largimi i ikonës Donatella Versace nga shtëpia e modës e themeluar nga vëllai i saj, Gianni Versace, sa ishte i beftë, aq dhe pritej. Një largim ky, i cili vjen pas gati 3 dekadash në rolin e Drejtoreshës Kreative të brandit gjigand.
Një përgjëgjësi e madhe, të cilën Donatella e ka mbajtur mbi supe më së miri, duke krijuar një vizion unik për atë çfarë Versace është, stilin që simbolizon, tregun që synon dhe një klientelë me një ndjekje e admirim gati religjioz. Por, dihet nga të gjithë adhuruesit e modës e ata që e njohin industrinë mirë, se kur bëhet fjale për biznese familjare apo vetjake, personi drejtues, që njëkohësisht mund të jetë dhe vetë themeluesi i kompanisë, paçka se largohet nga roli në mënyrë zyrtare, gjithmonë është pjesë e diskutimeve kreative.
Ashtu si Carolina Herrera me brandin e saj, Valentino Garavani me Valentino, Calvin Klein me Calvin Klein e të tjerë dizenjatorë me rradhë. Besojmë se ky do të jetë dhe rasti i Donatellës, pasi është shumë e vështirë të mendojmë se impakti i saj do të zerohet tërësisht e Versace do të ndryshojë rrënjësisht në një kohë të shkurtër.
Një tjetër largim, i cili ishte më të vërtetë i papritur, është ai i Jonathan Anderson nga brandi i mirënjohur spanjoll, Loewe. Drejtori Kreativ që e ktheu shtëpinë e njohur për mjeshtërinë e saj e cilësinë e lëkurave, në një nga brandet më moderne, më të kërkuara e që lançoi në treg disa nga aksesorët më ikonik, si çanta Puzzle, këpucët e kukullave të koleksionit Pranverë 2023 apo sandalet me tullumbace e trëndafila. Loewe nën drejtimin e tij ishte një nga pasarelat më të shumëpritura të javëve të modës gjatë kësaj dekade, fati i së cilës mbetet një mister deri në pikën e analizimeve të para zyrtare të koleksionit të ri, që do të vijë nën drejtimin e një drejtuesi të ri kreativ, emri i të cilit nuk është lakuar akoma.
Gjithashtu, një tjetër ndryshim që ka lënë industrinë paksa të zhgënjyer e njëkohësisht dhe të befasuar, është largimi i dizenjatorit të famshëm Demna Gvasalia, i njohur thjeshtë si Demna, nga shtëpia e modës Balenciaga, në të cilën ka qenë Drejtor Kreativ që prej vitit 2015. Ndryshe nga paraardhësi i tij, Alexander Wang, Demna e shndërroi Balenciagën në një nga brandet më të nxehta të industrisë përgjatë viteve 2017 – 2019, periudha në të cilën veshjet dhe aksesorët e rrugës po merrnin një vëmendje e hov shumë të madh.
I njohur gjithashtu dhe për butaforinë e tij deri diku ironike, duke krijuar çanta lëkure në formën e qeseve të plehrave apo qeseve të patatinave, atlete XXL, rroba tej mase oversize, Demna vitet e fundit, përpos vëmendjes në treg, nuk i ka kursyer shtëpisë së modës të blerë nga kompania Kering, as skandale. Fushata jo të mirëmenduara, cilësi produkti e dyshimtë, partneritete me personazhe jo fort të pëlqyera, e deri tek mungesa e kreativitetit duke bërë që çdo koleksion i ri i Balenciagës të përngjante më shumë si një reciklim idesh, se sa si një koleksion i ri sezonal. Ndaj, lëvizja e tij si Drejtor Kreativ pranë gjigandit Gucci i ka lënë të gjithë të habitur, pasi Demna nuk u përmend kurrë si një kandidat potencial për këtë rol, e madje thuhet se as nuk është intervistuar për pozicionin, ndryshe nga Maria Grazia Chiuri, e cila përflitet për një largim të mundshëm nga pozicioni i saj tek Dior. Nëse kjo lëvizje e Demnës është bërë thjeshtë për arsye financiare apo jo, pasi si Gucci, ashtu dhe Balenciaga, zotërohen të dyja nga Kering, këtë nuk do e kuptojmë kurrë. E vetmja gjë që mund të themi, është se Gucci bëri një gabim shumë të madh me largimin e Sabato De Sarno-s si Drejtor Kreativ i shtëpisë së modës, thjesht pas 2 vitesh, një kohë shumë e shkurtër për dizenjatorin që të tregonte veten, po aq sa dhe e shkurtër për klientët që të mësoheshin me një pamje të re të brandit, krijimet e të cilit, nën drejtimin e Sabatos, gjatë vitit të tij të fundit, viti 2024, filluan të pëlqeheshin shumë.
Ndryshimi i pozicionimit të Demnës nuk u prit fare me entuziazmin e Alessandro Michele-s, i cili kaloi nga pozicioni i tij tek Gucci, në atë tek Valentino, një ndryshim që i entuziazmoi të gjithë për kapitullin e ri që e priste Valentino-n, një ndjesi e cila në rastin e Demnës për Gucci-n vjen më shumë si ankth se sa si entuziazëm. Por, se si ky rrugëtim do të shkojë mbetet për t’u parë. Ashtu si dhe periudhat e reja që presin para Versace-n dhe Loewe-n gjithashtu.
Discussion about this post