Në një telefon të lidhur me internetin mobile aplikacioni nuk funksionon. Por, nëse kalojmë në një rrjet Wifi, Tik Tok është ende i aksesueshëm. Autoritetet thonë se ky është hapi i radhës dhe se së shpejti do të bllokohet edhe në rrjetin fiks.
“Mbrëmë në orën 12 të natës është finalizuar faza e parë në rrjetin mobile, faza e radhës është mbyllja në rrjetin fiks, në bashkëpunim me operatorët do implementojmë masa të tjera teknike”, u shpreh Saimir Kapllani nga Drejtoria e Riskut dhe Kontrollit. Eksperti pranë Autoritetit Kombëtar të Sigurisë Kibernetike bën thirrje për kujdes ndaj përdorimit të VPN-ve falas si mënyrë për të hyrë në Tik Tok, pasi ato mund t’i ekspozojnë përdoruesit ndaj sulmeve të hakerave.
“VPN falas ka një sërë risqesh që konsistojnë në vjedhjen e të dhënave, është njësoj si t’i hapësh derën vetë një hacker-i dhe të aksesojë të dhënat e tyre. Prindërit të jenë shumë vigjilentë, për të mos i lejuar fëmijët e tyre që të instalojnë VPN falas”, shtoi ai.
Platforma Tik Tok do të rihapet në vendin tonë sapo kompania të vendosë filtrat e duhur për një lundrim sa më të sigurt të përdoruesve në nivel kombëtar.
“Për të garantuar lundrimin e sigurt, kryesisht për fëmijët që të jenë më të mbrojtur sa i përket kërcënimeve kibernetike, shantazhimeve. Një nga hapat është edhe filtrat që të njohin Gjuhën Shqipe, që të identifikohet gjuha e dhunshme”, theksoi Kapllani.
Mbyllja e Tik Tok edhe në rrjetin fiks për të shkuar kështu në bllokimin përfundimtar të tij kërkon të paktën edhe një javë kohë. Por duket se shumë prej përdoruesve e kanë gjetur sërish mënyrën për t’u aksesuar. VPN-të u kanë mundësuar lundrim në platformë edhe pas vendimit të prerë të qeverisë, shkruan panorama. Me këtë fenomen, e nisi dje rubrikën e tij “Sy m’Sy” kryeministri Edi Rama. U kërkoi durim qytetarëve derisa kompania prestigjioze të vijë me një plan për sigurinë në Shqipëri dhe i paralajmëroi lidhur me VPN-të.
“Dihet botërisht se përmes VPN-ve falas, hakerat bëjnë namin në grabitjen e të dhënave të telefonit. Kijeni parasysh këtë gjë! Duroni pa Tik Tok ca kohë, derisa të përfundojmë programin e përbashkët me kompaninë, e cila së shpejti do të vijë në Shqipëri me paraqitjen e planit të sigurisë për fëmijët dhe adoleshentët”, theksoi Rama.
Edhe në mbyllje të komunikimit të tij virtual, e përsëriti këtë apel, veçanërisht ndaj prindërve.
“Mos i hyni asaj rruge sepse VPN-të falas janë hapja e shtegut për t’ju marrë të dhënat në telefon. Iu them prindërve kujdes me fëmijët, se po e futën VPN-në telefon…Është një dardhë që e ka gishtin mbrapa shumë të madh, shumë të gjatë!”, u shpreh kryeministri Rama.
VPN (Virtual Private Network) po përdoret masivisht vitet e fundit për të mundësuar një komunikim më të shpejtë mes degëve të kompanive të caktuara, që janë në lokacione të ndryshme.
Discussion about this post