Netflix ka goditur sërish në shenjë me një prodhim që ka rrëmbyer audiencën mbarëbotërore.
Seriali dramatik “Adolescence” ka kapur shifrën mbresëlënëse prej 114 milionë shikimesh brenda një muaji, duke u shndërruar në një nga sukseset më të mëdha të platformës.
Në qendër të historisë që ka prekur zemrat e miliona shikuesve është Jamie Miller, një 13-vjeçar i përfshirë në një ngjarje tragjike – i akuzuar për vrasjen e një shoqeje të klasës. Roli i interpretuar nga Owen Cooper është vlerësuar gjerësisht nga kritika, duke e vendosur aktorin e ri në qendër të vëmendjes që në premierën e serialit.
Por, pavarësisht famës që ka fituar, Cooper ka habitur me rrëfimin e tij të sinqertë: “Nuk e kam parë të gjithë serialin. Është e sikletshme ta shoh në shkollë, sidomos kur janë edhe shokët e mi aty”, ka thënë ai për DailyMail.
Owen e nisi këtë aventurë kur ishte vetëm 13 vjeç. Sot, në moshën 15-vjeçare, ai e përshkruan përvojën si “të çmendur, por edhe shumë argëtuese”. Ai tregon se si nxënësit më të vegjël e ndjekin në korridore, thërrasin emrin e tij dhe qeshin – një pasojë e menjëhershme e famës që i ka dhuruar roli i Jamie-t.
“Adolescence” ka spikatur jo vetëm për tematikën e thellë dhe ngjarjen e ndërtuar me shumë ndjeshmëri, por edhe për interpretimet mbresëlënëse, veçanërisht nga aktorët e rinj. Ndërkohë që seriali vazhdon të thyejë rekorde, ai ka hapur një debat më të gjerë mbi ndikimin që fama e parakohshme ka te fëmijët dhe adoleshentët në moshë të njomë.
Discussion about this post