Filmi i animuar “Nezha 2” ka thyer rekordin e fitimeve në Kinë, duke arritur mbi 5.8 miliardë juanë (796.32 milionë dollarë) deri të enjten. Ky sukses e ka bërë atë filmin më të suksesshëm financiarisht në vend, duke kaluar epikën e Luftës Koreane “Beteja e Liqenit Changjin” të vitit 2021, sipas të dhënave të publikuara nga platforma e biletave Maoyan.
“Nezha 2” sjell historinë e një djali mitik me fuqi magjike dhe aftësi të jashtëzakonshme marciale, duke vijuar rrëfimin e nisur në filmin e vitit 2019 “Nezha”. Ky i fundit renditet si filmi i pestë kinez më fitimprurës i të gjitha kohërave.
Filmi ka vetëm pak më shumë se dhjetë ditë në ofertë në kinematë kineze, dhe analistët parashikojnë që fitimet e tij do të vazhdojnë të rriten në javët në vijim.
Ndërkohë, në listën e 10 filmave me fitimet më të larta të të gjitha kohërave në Kinë, vetëm një është hollivudian. Bëhet fjalë për “Avengers: Endgame”, i cili zë vendin e nëntë me një total prej 4.25 miliardë juanësh, që nga viti 2019.
Suksesi i “Nezha 2” nënvizon rritjen e ndikimit të kinemasë vendase dhe përqafimin gjithnjë e më të madh të animacioneve kineze nga publiku i brendshëm.
Discussion about this post