Me gjithë ndryshimet ekonomike dhe sociale, shoqëria shqiptare ruan ende vlerat e traditës dhe familjes. Gratë shqiptare duan ende të lindin fëmijë më shumë se sa kanë. Para gjashtë vitesh, gratë u pyetën se sa ishte numri ideal i fëmijëve që do të donin të lindnin gjatë jetës së tyre. Rezultatet treguan se 100 gra donin të sillnin në jetë së paku 250 fëmijë, një shifër kjo më e lartë se norma e zëvendësimit të prindërve që garanton rritjen natyrore të popullsisë.
Në të vërtetë, këto gra lindën shumë më pak fëmijë se sa dëshironin në idealen e tyre. Gjashtë vite më vonë nga anketa, 100 gra në moshë riprodhimi lindën vetëm 121 fëmijë, as gjysmën e asaj që e konsideronin si ideale më 2018.
Praktikat e vendeve të tjera, që kanë përjetuar rënien normave të fertilitetit para nesh, tregojnë se mjeti më efektiv ishte mbështetja e familjeve të reja të martuara. Franca është modeli më i mirë në Evropë për politikat pro-fertilitetit. Të dhënat zyrtare nga burimet vendase tregojnë se Franca aplikoi lejen me pagesë për gratë që në vitin 2013.
Në vitin 1939, Franca miratoi Kodin e ri të Familjes. Aktualisht rregulloret franceze të pronatalizmit janë ndër më të suksesshmet në Evropë. Ato përfshijnë, ndër të tjera, përfitime financiare për fëmijët, mbështetje financiare për familjet, një shtesë për prindin e vetëm, një shtesë për birësim dhe disa lehtësi strehimi për familjet me tre ose më shumë fëmijë.
Çiftet gjithashtu marrin leje të konsiderueshme gjatë lehonisë, kjo përfshin edhe burrat. Gjithashtu Franca ka një rrjet të gjerë objektesh publike për kujdesin ndaj fëmijëve (një nga më të mëdhenjtë në Europë), duke ofruar kujdes të plotë ditor sapo fëmija mbush moshën dy ose tre vjeç.
Ndërmjet viteve 1995 dhe 1998, Franca shpenzoi 2.3% të Prodhimit të saj të Brendshëm Bruto për familjet me fëmijë. Masat bujare franceze pronataliste nuk e kanë rikthyer lindshmërinë në nivelin e zëvendësimit, megjithatë Franca kryeson Evropën dhe po ecën më mirë se shumica e vendeve europiane.
Qeveritë konservatore po shtojnë presionin mbi politikat pronataliste. Elon Musk, njeriu më i pasur i botës, tani pjesë e administratës së presidentit Trump në SHBA, e konsideron rënien e lindjeve më të rrezikshme se ndryshimet klimatike. Disa qeveri konservatore në Europë kanë marrë masa për përmirësimin e lindjeve.
Hungaria është e fundit që ka miratuar masa radikale në përpjekje për të trajtuar problemin. Kryeministri Viktor Orban i ka shpallur klinikat e fertilitetit si një sektor strategjik. Familjeve të reja tashmë u ofrohet një kredi që nuk kanë nevojë ta kthejnë, nëse kanë një fëmijë të tretë. Gratë që kanë katër fëmijë do të përjashtohen nga tatimi mbi të ardhurat për gjithë jetën. Gjithashtu Qeveria konservatore e Polonisë prezantoi pagesa për të nxitur familjet më të mëdha.
Programi i tij “Family 500+” shpërndan 118 euro në muaj për familjet me të ardhura të ulëta për fëmijën e tyre të parë dhe për çdo familje për fëmijët pasardhës. Në fakt, masat më të suksesshme synojnë t’ua bëjnë jetën më të lehtë nënave që punojnë: zakonisht kur detyrohen të zgjedhin midis rritjes së fëmijëve ose karrierës, gratë kanë zgjedhur të punojnë.
Pas Francës, Suedia vjen e dyta, falë edhe politikave pro familjes, si dhe nxitjes për burrat që të kujdesen më shumë për fëmijët. Politikat kanë treguar se është e mundur të ndryshohet tendenca e normave të ulëta të lindshmërisë.
Gjermania, ku masat për promovimin e lindshmërisë dikur ishin tabu, ka arritur të rrisë normën e lindjeve gjatë dekadës së fundit. Deri më tani, disa qeveri në Evropë kanë shpallur në një “emergjencë kombëtare” nivelet e ulëta të lindjeve, ndërsa të tjera kanë mbyllur sytë. Sido që të jetë, politikëbërësit janë në një situatë të ndërlikuar: politikat e fertilitetit që funksiononin në shekullin XX mund të mos jenë më efektive.
Fatmirësisht ekziston tashmë një grup studimesh demografike dhe politikash familjare që tregojnë se cilat taktika ia vlen të ndiqen dhe cilat jo. Studimet e fundit tregojnë se aspiratat për të pasur fëmijë nxiten nga besimi social dhe qëndrueshmëria individuale dhe dobësohen nga polarizimi politik dhe vuajtjet e tjera moderne, duke përfshirë edhe ndikimin e mediave sociale.
Faktori demografik, me rënien e lindjeve, emigracionin e lartë të të rinjve dhe plakjen e popullsisë është duke ndikuar negativisht të gjitha aspektet e jetesës në vend. Rënia e lindjeve në një shoqëri si Shqipëria ka pasoja të thella ekonomike, sociale dhe demografike.
Rënia e fortë e lindjeve po ndikon negativisht në strukturën e popullsisë. Të dhënat e Censit 2023 tregojnë se mosha mesatare e popullsisë arriti 42.5 vite duke u rritur me 7 vite nga viti 2011, ku ky tregues ishte 35.5 vjet.
Një në pesë individë (19,7%) janë 65 vjeç e lart, krahasuar me një në nëntë individë (11,3%) në Censin e vitit 2011 dhe 7,5% në Censin e 2001. Tranzicioni drejt një popullsie më të vjetër vihet re edhe në raportet e varësisë. Raporti i varësisë së të rinjve pësoi rënie në 24,0% nga 30,4% vlerësuar në Censin e 2011, dhe raporti i varësisë së të moshuarve pësoi rritje në 30,4% nga 16,7% në 2011.
Duke analizuar grupmoshën 50-69 vjeç në piramidën e popullsisë, vërehet një zgjerim që përputhet me një periudhë lindjesh midis mesit të viteve 1950-1970. Shqipëria gjatë kësaj periudhe është karakterizuar nga një rritje e normave të lindshmërisë, njohur si “baby boom”.
Pas viteve ’90, normat e ulëta të lindshmërisë dhe trendi në rënie, kombinuar me emigracionin e popullsisë në moshë riprodhuese solli ngushtimin e bazës së piramidës së popullsisë. Lindshmëria nën nivelin e zëvendësimit prej vitit 2001, rritja e jetëgjatësisë, si dhe migracioni mbeten faktorët kryesorë të plakjes së popullsisë.
Sistemet e pensioneve, ato shëndetësore dhe të mbrojtjes sociale do të përballen me shpenzime të larta në vijim. Me më pak kontribuues në skemën e sigurimeve shoqërore dhe më shumë pensionistë, shteti do të përballet me vështirësi në financimin e pensioneve, duke rrezikuar stabilitetin e skemës.
Më pak lindje do të thotë më pak familje dhe më pak konsum në ekonomi. Kjo ndikon drejtpërdrejt në sektorët si arsimi, tregtia dhe ndërtimi, pasi kërkesa për produkte dhe shërbime bie. Në vendin tonë, aftësia blerëse është e përqendruar në grupmoshën 20-45 vjeç, pasi kjo ka të ardhurat më të larta dhe për rrjedhojë dhe shpenzimi është më i lartë.
Një popullsi më e plakur priret të kursejë, të mos konsumojë, të mos investojë, të mos marrë kredi. Tkurrja e lindjeve, në anën tjetër, do të çojë në mbylljen e shkollave dhe mbylljen e shërbimeve arsimore Në shumë zona të Shqipërisë, shkollat janë mbyllur për shkak të mungesës së nxënësve.
Në të ardhmen, kjo mund të prekë edhe shërbime të tjera si spitalet dhe transporti publik, duke e bërë jetën më të vështirë në qytete të vogla dhe fshatra. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Arsimit referojnë se nga viti shkollor 2012-2013 në vitin shkollor 2021-2022 janë mbyllur 295 shkolla të arsimit 9-vjeçar në të gjithë vendin duke e çuar numrin total të tyre në 1051 nga 1346 që ishte në vitin 2013.
Mbyllja e shkollave ka ardhur në raport të drejtë me rënien e nxënësve, pasi nga 2011 më 2023, INSTAT referon se numri i nxënësve në arsimin 9-vjeçar ka shënuar tkurrje me rreth 30%. Plakja e popullsisë do ta bëjë më të shtrenjtë kujdesin për të moshuarit. Në një shoqëri tradicionale si Shqipëria, familja luan një rol kyç në kujdesin për të moshuarit.
Me më pak lindje, më pak fëmijë do të jenë në gjendje të kujdesen për prindërit e tyre në pleqëri, duke krijuar nevojë për institucione të posaçme për të moshuarit. Për shumë të moshuar, jeta do të lehtësohej po të funksiononin azilet, të cilat sot mungojnë në raport me nevojat që ka vendi për këto shërbime.
Njësia e Kombeve të Bashkuara, për çështjet e punësimit (ILO) evidentoi pak vite më parë se popullsia e Shqipërisë po plaket me shpejtësi dhe 91 mijë persona mbi 65 vjeç kanë nevojë për përkujdesje sociale afatgjatë, ndërkohë që vetëm 1.6% e tyre përfitojnë mbrojtje.
Azilet publike mungojnë, ndërsa nismat për hapjen e shtëpive të kujdesit për të moshuarit gjithashtu mungojnë. Një popullsi e plakur nuk mund të ofrojë stimuj për të rinjtë, duke u bërë kështu shkak për rritje edhe më të fortë të emigracionit. Nëse ky trend vazhdon, Shqipëria mund të përballet me një krizë të thellë demografike dhe ekonomike në dekadat e ardhshme.
Për ta parandaluar këtë, mund të nevojiten politika si mbështetja për familjet e reja, rritja e pagave dhe përmirësimi i cilësisë së jetesës, u shprehën ekspertët dhe demografët./ Monitor
Discussion about this post