Dita e Verës e ka zanafillën në faltoren “Zana e Çermenikës”, e ndërtuar në rrethinat e qytetit të Elbasanit, e cila ishte perëndesha e gjuetisë, pyjeve dhe e natyrës. Sipas gojëdhënës, kjo zanë dilte nga faltorja e saj ditën e 14 marsit dhe trokiste në çdo shtëpi pas mesnatës për të lajmëruar ardhjen e pranverës. Të parët, tregojnë se një natë para ditës së Verës, njerëzit mblidheshin më shpejt në shtëpitë e tyre, për të festuar së bashku me të afërmit, epilogun e kësaj feste.
Zgjimi bëhej në të gdhirë dhe të moshuarit herët në mëngjes hapnin derën e shtëpisë për bujari, merrnin shtamën për ta mbushur me ujë të freskët dhe sillnin në shtëpi një plis bari të gjelbëruar, ndërkohë që të rinjtë plehëronin portokallet dhe ullinjtë. Kurse në krahina të tjera si Dibra, njerëzit marrin me datë 13 mars një tufë të vogël bari të njomë bashkë me rrënjët dhe dheun, që ta kenë në mëngjesin e datës 14 në shtëpi.
Discussion about this post