Për një grua në karrierë apo një baba të zellshëm, gatimi ditor i ushqimeve dhe ushqyerja e shëndetshme janë dy misione që vështirë të ndërthuren. Kjo ndodh kryesisht për shkak të kohës dhe angazhimeve të ndryshme. Megjithatë me pak iniciativë, të gjithë mund t’ia dalin që të ushqehen shëndetshëm për një javë të tërë, pa patur nevojë të shkojnë në restorante. Ajo që ju duhet është një pasdite. Në një pasdite të diele, ju mund të angazhoheni të gatuani disa ushqime të shëndetshme, të cilat mund t’i shfrytëzoni në të paktën pesë ditët në vijim.
Çfarë Mund Të Bëni Pasditen e Të Dielës.
1-Përgatisni perimet
Kaloni disa minuta duke prerë qepët, specat dhe selinonë që do ju nevojiten për gatimet e shëndetshme. Prijini në copa dhe futini në enë qelqi me kapak. Në këtë mënyrë do të kurseni shumë kohë dhe mund, nëse gjatë javës do të vendosni të gatuani diçka të freskët.
2-Gatuani oriz kaf, drithëra ose thjerrëza
Të gjitha prej drithërave të lartpërmendur kërkojnë minimalisht 30 deri në 45 minuta për tu gatuar. Deri sa të gatuhen drithërat e shëndetshëm ju mund të shikoni një film dhe të mos e çoni dëm fundjavën.
3-Mund të përgatisni një salcë
Një salcë e shëndetshme domatesh dhe erëzash të freskëta në frigorifer është si një depozitë afatgjatë në bankë. Salcën mund ta përdorni gjatë gjithë javës për gatime të shpejta ose të shëndetshme. Nëse nuk ju pëlqejnë sallatat tradicionale me domate, mund të përgatisni salca të larmishme për sallata me kos, majdanoz, limon, vaj ulliri.
4-Piqni perime në furrë
Piqni perimet e preferuara në furrë siç mund të jenë panxhari, patatja e ëmbël, kungulli i verdhë, karrotat, patëllxhan e të tjerë. Ruajini në enë qelqi dhe më pas gjatë javës konsumojini me sallata ose drithëra.
5-Gatuani të paktën një ushqim me proteinë
Të dielën, mund të gatuani salmon, ta ruani në frigorifer dhe ta konsumoni me një sallatë në një nga ditët e javës. Proteina është shumë e rëndësishme për organizmin, lëkurën, gjakun dhe muskujt.
6-Gatimet me shpendë
Një pulë e mbushur me perime është ideale për tu konsumuar jo vetëm në fundjavë por edhe për tu ruajtur për ditë të tjera të javës, përsa kohë e ruani në enë qelqi të mbyllura me kapak.
Për siguri, në të gjithë enët e qelqit që mund të ruani në frigorifer mund të vendosni datën e paketimit dhe të mbani mend që ushqimet e ruajtura mund të konsumohen për maksimumi pesë ditë./AgroWeb.org
Discussion about this post