Çdo dimër, familje në mbarë botën zbukurojnë një pemë, për ta quajtur vigjiljen e festave zyrtarisht të hapur. Historia e pemëve të Krishtlindjeve daton kohë më parë, duke filluar nga përdorimi i bimëve me gjelbërim të përhershëm në Egjiptin e Lashtë dhe Romë e deri te traditat gjermane.
Shumë kohë përpara krishtërimit, bimët dhe pemët që mbeten të gjelbra gjatë gjithë vitit kishin një kuptim të veçantë për njerëzit në dimër. Ashtu si njerëzit sot dekorojnë shtëpitë e tyre gjatë sezonit të festave, shumë popuj të lashtë varnin degë me gjelbërim të përhershëm mbi dyert dhe dritaret e tyre. Në disa vende besohej se bimët me gjelbërim të përhershëm do të mbanin larg shtrigat, fantazmat, shpirtrat e këqij dhe sëmundjet.
Në hemisferën veriore, dita më e shkurtër dhe nata më e gjatë e vitit bie më 21 ose 22 dhjetor dhe quhet solstici dimëror. Shumë njerëz të lashtë besonin se dielli ishte një zot dhe “sëmurej” gjatë dimrit, gjë që shpjegonte pse herë pas here ai shfaqej, pa mundur të ngrohte. Ata i mbushnin shtëpitë me bimë të gjelbra për të sjellë pranverën sa më shpejt. Degët me gjelbërim të përhershëm u kujtonin atyre të gjitha bimët e gjelbra që do të rriteshin përsëri kur perëndia e diellit të shërohej dhe vera të kthehej.
Egjiptianët e lashtë adhuronin një perëndi të quajtur Ra, që kishte kokën e një skifteri dhe mbante diellin si një disk flakërues në kurorën e tij. Në solstice, kur besohej se Ra niste të shërohej nga sëmundja, egjiptianët mbushnin shtëpitë e tyre me palma të gjelbra dhe kallamishte papirusi, të cilat simbolizonin për ta triumfin e jetës mbi vdekjen.
Gjermanët ishin ata që mendohet se nisën traditën e pemës së Krishtlindjes që njohim sot. Në shekullin XVI, të krishterët çonin në shtëpi pemë të zbukuruara. Mendohet se Martin Luther, figura kryesore e Reformës Protestante të shekullit XVI, ishte i pari që shtoi qirinj të ndezur në një pemë. Sipas gojëdhënave, duke ikur në shtëpi gjatë një mbrëmjeje dimri, Martin Luther u mahnit nga yjet që vezullonin mes gjelbërimit të përhershëm. Për të “rikrijuar” skenën për familjen e tij, ai ngriti një pemë në dhomën kryesore dhe vendosi qirinj të ndezur.
Me kalimin e viteve, pema e Krishtlindjeve – ose e Vitit të Ri siç njihet në Shqipëri – është kthyer në një traditë për fundvit, shpeshherë e përqafuar edhe nga jobesimtarët e krishterë.
Discussion about this post