Bricjapi është një shenjë tejet interesante dhe ambicioze, por astrologia më e shitur sipas Neë York Times, Linda Goodman, tregon me detaje se si është në të vërtetë kjo shenjë toke.
Bricjapi ka një admirim të jashtëzakonshëm për njerëzit e suksesshëm, që zakonisht kanë ndërmarrë hapa të mëdhenj dhe kanë përcaktuar rregullat e lojës.
Kjo shenjë e do suksesin, e respekton hierarkinë, autoritetin dhe e nderon traditën. Bricjapi është një shenjë e zgjuar që “punon në hije” dhe shpeshherë, ndryshe hiqet dhe ndryshe është në të vërtetë. Kjo, për të kuptuar kapacitetin e të tjerëve.
Bricjapi sundohet nga Saturni dhe kjo e bën një shenjë që përshtatet dhe pajtohet me situata të ndryshme. Kjo është një shenjë me fat dhe në shumë raste, i lejon të tjerët të ecin përpara, madje të bëjnë dhe hapa galopantë, por çuditërisht, është gjithnjë i pari. Shenja e Tokës përcjell një vetëbesim për t’u pasur zili, është e fortë dhe e paepur.
Bricjapi ka zët mendjelehtësinë, shpërdorimin e gjërave, zemërimin, impulsivitetin, pasionin e pandalshëm dhe xhelozinë. Për të, të gjitha këto janë pengesa drejt një qëllimi më të madh.
Kjo shenjë është romantike, por si kripa, me karar. Bricjapi e kupton shumë mirë kur dikush ka interes romantik apo seksual, por sigurisht, do të të dredhë në tel derisa ta shprehësh hapur ndjesinë. Megjithatë, Bricjapi s’i lejon emocionet që t’i zbehin vështrimin dhe është gjithnjë i dhënë pas fakteve.
Nëse do respektin e kësaj shenje, mos ia prek kufijtë dhe as pasionet që ka mbi gjëra të caktuara. Kjo shenjë është tejet e guximshme, megjithëse skeptike. Bricjapi mbetet në thelb i përmbajtur dhe tradicional, ndaj çdo skenë e tepruar, thjesht e bën të ndihet i turpëruar dhe keq.
Bricjapi i ri në moshë është zakonisht më i lumtur dhe i përmbushur se personat më të vjetër të kësaj shenje. Të rinjtë e sunduar nga Saturni e duan shumë traditën dhe historinë e paraardhësve, pasi çmojnë mençurinë dhe përvojën e moshës. Kur Bricjapi piqet dhe rrëzon idhujt, veprimet “e papërmbajtura” të brezit të ri thjesht e trembin “dhinë” konservatore. Pra, nëse sheh një person të vjetër në rrugë që të sheh me inat kur ti qesh në të madhe, me shumë gjasa është Bricjap.
Megjithëatë, le të mos keqkuptohemi: Bricjapi përshtatet shumë mirë me çdo brez, thjesht e ka pak të vështirë që të depërtojë në fillim. Nëse arrin të gjejë një person që i ngjall besim, Bricjapi është gati të çlirohet nga vetëpërmbajtja dhe të bëjë namin.
Rrallëherë do e gjesh Bricjapin duke future hundën në punët e të tjerëve apo duke u marrë me thashetheme. Bricjapi përqendrohet thjesht te jeta dhe puna e tij dhe as nuk e vret mendjen se ç’ndodh vërdallë. Gjithë kohës do të përmirësojë veten, nuk jep kurrë këshilla të pakërkuara dhe zakonisht, ndërhyn në një bisedë vetëm kur ka interes. Bricjapi është shenjë praktike, i bie shkurt dhe i zgjidh gjërat.
Në shumë raste mund të kesh dëgjuar apo lexuar se Bricjapi është një shenjë materialiste, por na lejo të të themi se ky është një ekzagjërim. Bricjapi bie në dashuri dhe është gati të ndërmarrë hapa të rëndësishëm kur është gati emocionalisht. Njerëzit që janë shenja e Bricjapit bëjnë gjëra të çuditshme për sigurinë e plotë që personi tjetër është i duhuri.
Bricjapi kap çdo mundësi dhe moment. Praktikisht, fati nuk troket dy herë në derën e një Bricjapi, sepse ai e dëgjon me të parën.
Discussion about this post