Lidhet me ajrin e pastër të malit apo strudelin me mollë? Ndoshta asnjë nga këto klishe nuk ka luajtur rol, që austriaket dhe austriakët janë më të kënaqur se popullsitë e tjera në vendet e BE. Por të paktën në këtë përfundim ka arritur një statistikë e Eurostatit. Zyra e Statistikave të BE mbledh të dhëna nga të gjitha fushat e jetës me rëndësi për politikën europiane. Krahas kësaj ky autoritet kryen rregullisht sondazhe në të gjitha vendet e BE dhe vende të tjera europiane. Vlerësimi i publikuar së fundmi bazohet në një sondazh të vitit 2022, në të cilin qytetarët në Europë janë lutur të përgjigjen se sa të kënaqur janë me situatën e jetës së tyre nga shkalla 0 deri në 10. Përgjigja mesatare e ardhur nga Austria arrinte në 7,9 pikë.
Pakënaqësia nuk lidhet vetëm me paratë
Edhe pse krizat e kohës dhe një shoqërie europiane që të duket shpesh e acaruar, të bëjnë të mos e besosh lehtë – nga pyetësorët del se europianët janë në masë të madhe të kënaqur. Mesatarja e BE qëndron në 7,1 pikë. Si pika të tjera janë parë edhe marrëdhëniet socio-ekonomike. Ndërsa në mënyrë të veçantë janë marrë të dhëna që lidhen me kushtet materiale, si të ardhurat, kushtet e banimit, shëndeti, arsimi dhe siguria. Por edhe cilësia e kohës së lirë, aktivitetet me të tjerët dhe uniteti social luajnë rol në analizën e Eurostat. Rezultate të tilla që lidhen me aspekte të veçanta nuk janë publikuar ende, por nga të dhënat e vitit 2018 të bie në sy, se austriakët kanë qenë më të kënaqur me marrëdhëniet e tyre personale, duke arritur 8,6 pikë nga 10 të mundshmet. Të njëjtin vlerësim e dhanë sllovenët, irlandezët dhe maltezët e pyetur.
Austria para Polonisë, Rumanisë dhe Finlandës
Në statistikën e publikuar, bie në sy sidomos Austria dhe Zvicra. Kjo e fundit nuk është anëtare e BE, por del në statistika shpesh bashkë me vendet e BE. Njerëzit në Zvicër arrijnë madje një vlerë të të qenurit të kënaqur që u vlerësua me 8,0., pak më lartë e Austria. Ndërsa vende të tjera që kryesojnë janë Polonia, Rumania, Finlanda me 7,7 pikë. Finlanda dominon prej vitesh World Happiness Report, Raportin për lumturinë të Kombeve të Bashkuara, që llogaritet me një metodikë pak më ndryshe se ajo e BE. Në statistikën e BE të dhënat e të anketuarve bashkohen me informacione biografike. Ajo që bie në sy është se njerëzit me shkollim të mirë në të gjitha vendet e BE janë më të kënaqur se të tjerët pa këtë nivel arsimor. Krahas kësaj në shumë vende, të rinjtë janë më të kënaqur se ata në moshë. Vetëm në vendet skandinave, Irlandë, Holandë dhe Luksemburg është e kundërta.
Vendet e BE afrohen, Gjermania bëhet më e pakënaqur
Po të shohësh statistikat në vite, vendet e BE janë përafruar në të qenurit i kënaqur, ndoshta edhe një shenjë, se Europa bashkohet më shumë. Një vend bie në sy që mbetet në fund të statitistikës, Bullgaria. Në këtë vend statistika tregon, se njerëzit nuk janë të kënaqur me jetën, në vitin 2013 madje kjo vlerë ishte 4,8 pikë, që do të thotë, se në këtë vend ka pasur më shumë njerëz të pakënaqur, se të kënaqur. Që atëherë kjo vlerë është përmirësuar lehtë në 5,6 nga 10 pikë.
Kurse Gjermania ka rënë ndjeshëm. Nëse në vitin 2018, vlera e njerëzve të kënaqur, sipas statistikës ishte vetëm 0.6 pikë larg austriakëve, në vitin 2022 kjo vlerë arriti një rënie tjetër. Mesatarisht gjermanët marrin 6,5 pikë nga 10, pra pas Bullgarisë, gjermanët janë njerëzit më të pakënaqur të BE./ DW
Discussion about this post