Nëse jeni një nga vajzat që e keni fytyrën plot quka, duhet të gëzoheni pasi të lexoni këtë artikull! Sepse për ato goca që nuk i kanë, trendi ka shkuar në një tjetër nivel, duke i shtuar qukat në fytyrë përmes teknikës së tatuazhit.
Por, çfarë duhet të dini për këtë trend, sa zgjat dhe a ia vlen të harxhoni para vërtet?
Çfarë janë qukat tatuazh?
Sipas Nikki O’Brien, një drejtuese e një qendre tatuazhesh në SHBA, tatuazhi i qukave është një procedurë kozmetike gjysmë e përhershme ku pigmenti bëhet tatuazh në fytyrë për të imituar idenë e qukave. Praktika kryhet ose duke e futur pigmentin me dorë në lëkurë ose me një aparaturë. Por, përpara se të vini në zbatim dëshirat tuaja, pra nëse lëkura juaj është e pastër dhe nuk keni shenja për quka, më parë rekomandohet të bëni një konsultë me mjekun dermatolog për t’u siguruar rreth praktikës më të mirë për ju.
Pse njerëzit bëjnë qukat tatuazh?
Arsyeja më e zakonshme është për dëshirë personale, pra shtimi i tyre në lëkurën ose theksimi i qukave ekzistuese. Megjithatë, O’Brien thotë se ka kliente që “shpërthejnë” në kreativitetin e tyre rreth qukave, duke bërë gjëra më kreative, pra quka që ngjajnë si galaktikë yjesh, diçka argëtuese, por e guximshme.
Sa zgjasin këto tatuazhe?
Në përgjithësi, tatuazhet e qukave mund të zgjasin nga një deri në tre vjet, në varësi të llojit të lëkurës së klientit dhe rutinës së kujdesit për lëkurën. Gocat me lëkurë më të yndyrshme ose që përdorin produkte me përbërës aktivë si retinoli shohin që qukat e tyre tatuazh zbehen më shpejt se llojet e lëkurave të tjera. Varet gjithashtu nga lloji i bojës që përdor tatuazhisti/tatuazhistja. Pigmenti i përdorur për tatuazhet e qukave shpesh ndryshon nga boja në tatuazhet tradicionale, duke e bërë këtë tatuazh gjysmë të përhershëm.
A është procedura e dhimbshme?
Lajmi i mirë është se nuk është e dhimbshme, por varet nga toleranca ndaj dhimbjes që kanë vajzat dhe teknika specifike e përdorur. Anestezia lokale përdoret gjatë gjithë kohës për t’u siguruar që procesi të jetë sa më i rehatshëm.
Discussion about this post