Bota e modës është në zi! Gjeniu kreativ i koleksioneve të jashtëzakonshme të veshjeve, çantave dhe aksesorëve, Roberto Cavalli ka ndërruar jetë në Firence, në moshën 83-vjeçare pas një sëmundjeje të gjatë nga e cila vuante prej kohësh. Ai ka lënë pas gjashtë fëmijë, më i vogli Giorgio vetëm një vjeç.
Mediat italiane thonë se në momentet e fundit të jetës, pranë stilistit ka qenë partnerja e tij, Sandra me të cilën ai bashkëjetonte prej 15 vitesh.
Kush ishte Roberto Cavalli?
Roberto Cavalli ishte themeluesi i shtëpisë së modës fiorentine me të njëjtin emër. Gjyshi i tij, Giuseppe Rossi, ishte i njohur për koleksionet e veprave të artit që i ekspozonte në Galerinë Uffizi në Firence. Babai i tij Giorgio u vra nga nazistët gjatë një përplasjeje në komunën Cavriglia në vitin 1944. Cavalli ka gjashtë fëmijë: Tommaso, Cristiana dhe Robert nga martesa e tij e parë, Rachele dhe Daniele nga martesa e tij e dytë. Ndërsa, Giorgio lindi më 8 mars të vitit të kaluar dhe është fëmija i gjashtë që stilisti pati në moshën 82-vjeçare me partneren suedeze, Sandra Nilsson.
Humbja e Cavall-it sigurisht që ka lënë një boshllëk të madh në fushën e modës, ndonëse ai e shiti kompaninë me të njëjtin emër në vitin 2015. Elementi dallues i markës së tij ishte printi animal, peliçet me qëndisje, fustanet e gjata me të çara të theksuara dhe shumë transparencë.
Krahas koleksioneve të veshjeve, Cavalli krijoi dhe linjën e dedikuar për të brendshmet e meshkujve e quajtur Just Cavalli. Ndërsa, në vitin 2012, krijoi edhe sektorin e dedikuar për arredimin dhe shtëpitë me emrin Cavalli Home.
Industria e modës nga sot ka një mjeshtër më pak!
Discussion about this post