Qeveria e Kosovës ka miratuar një vendim që ndalon përdorimin dhe funksionimin e aplikacionit TikTok në institucionet shtetërore të vendit.
Gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës të mbajtur më 28 qershor, zëvendësministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bardhyl Dobra, tha se ndalimi i kësaj platforme bëhet për shkak të rreziqeve kibernetike që ajo paraqet.
Ky vendim ka për synim “të mbrojë institucionet shtetërore të Kosovës kundër kërcënimeve dhe veprimeve të sigurisë kibenernetike të cilat mund të shfrytëzohen për sulme kibernetike ndaj infrastrukturës të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit të institucioneve të Kosovës”, tha ai.
Vendimi i Qeverisë obligon të të gjitha institucionet publike të cilat janë pronare dhe administrojnë rrjete shtetërore të komunikimit “që të vendosin kufizimet nevojshme teknike për ndalimin e funksionimit të shërbimeve të aplikacionit TikTok në ambientet zyrtare të punës. Po ashtu, të gjithë zyrtarët publikë janë të obliguar që në pajisjet zyrtare të largojnë aplikacionin TikTok dhe skedarët instalues të tij”, tha Dobra.
Qeveria e Kosovës tha se ndalimi i TikTok-ut në institucione u bë duke ndjekur shembullin edhe të shteteve aleate.
Shumë shtete në mbarë botën kanë vendosur kufizime ndaj kësaj platforme, për shkak të shqetësimeve të sigurisë, teksa .Bashkimi Evropian ka ndaluar përdorimin e TikTok-ut në institucionet e tij./ REL
Discussion about this post