Gazetari shqiptaro-amerikan Beqir Sina paraqiti më 8 shtator në Tiranë librin me titull “Rob – Një biografi për dy kohë”, një event që ngjalli interesim të pazakontë.
Libri prej më shumë se 400 faqesh, botim i “Tirana Times”, paraqet jetën e autorit nën komunizëm dhe lirinë që ai gjeti në Amerikë.
Autori lindi në internim, në Savër të Lushnjes në vitin 1957 dhe fati i tij ishte i vulosur që nga ai çast. Në mënyrë sureale, pa lindur mirë, atij i ishin mohuar të gjitha të drejtat njerëzore dhe duhej që jetën ta kalonte në mjerim.
Autori Sina përshkruan brutalitetin e regjimit, por këtë e jep në një formë të re. Ai sjell një rrëfim të pa sforcuar, flet me vetpërmbajtje dhe me të njëjtin durim që ai dhe familja e tij treguan në vitet e gjata të vuajtjeve në Savër.
“Ky libër është një homazh për qëndresën e kësaj pjese të shoqërisë shqiptare gjatë komunizmit. Është gjithashtu një himn për lirinë,” tha Albert Rakipi Kryetar i Institutit për Studime Ndërkombëtare në Tiranë.
Aktivisti dhe biznesmeni Ekrem Bardha, ish i arratisur, tha se “komunizmi në Shqipëri ishte një diktaturë e rreptë, e paimagjinueshme dhe ne i dimë vuajtjet e të gjithëve, por një mesazh dua t’ju jap, që shumë pak njihen krimet e komunizmit, vuajtjet e shqiptarëve.”
Discussion about this post