Një police shqiptare 23 vjeçare rrëmbeu çmimin dhe vlerësimin më të madh të muajit në Policinë e New York-ut për trimëri dhe rezultate të shkëlqyera në punë. Antoneta Pepkolaj, police prej 1 viti, shkëlqeu dhe mori një vlerësim dhe triumf që policët e tjerë punojnë prej vitesh dhe nuk e kanë arritur akoma. Ajo rrezikon çdo ditë jetën e saj në mbrojtje të jetës së të tjerëve. Vetëm pak ditë më parë ajo arrestoi e vetme një keqbërës të armatosur me dy pistoleta me “fishek në gojë” që po mësynte e kërcënonte disa fëmijë në rrugë.
Antoneta Pepkolaj ka ardhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me familjen e saj në moshën 15 vjeçare dhe duke qenë e vogla dhe e përkëdhelura e shtëpisë, si vajzë çamarroke, ajo kishte një pasion të veçantë për armët lodra. Antoneta ka mbaruar Akademinë 6 mujore të Policisë së New York-ut duke arritur rezultate shumë të larta dhe aktualisht ruan sigurinë e qytetarë të New York-ut në lagjen Bronx. Ajo është trime, e dashur, energjike, e përkushtuar, patriote, e qeshur, bashkëpunuese dhe shumë entuziaste. Ka një energji shumë pozitive dhe të pa shterrshme.
Një ditë e zakonshme pune për oficeren Antoneta Pepkolaj fillon me marrjen e një telefonate nga ku kërkohet një ndërhyrje urgjente nga Policia. Ajo sqaron për Diellin e Vatrës se telefonatat më të speshta janë për: “Dhunë në familje, armëmbajtje, vjedhje, dhunë dhe sherre nga më të ndryshmet”. Që pas Covid -19, Antoneta tregon se qytetarët kanë një mbingarkesë emocionale dhe ankesa të shumta për probleme të shëndetit mendor.
Situata e sigurisë në qytet ka ndryshuar, tregon Antoneta. Asgjë nuk është si më parë, njerëzit janë më agresivë dhe sensitivë, policia përballet përditë me sfida të shtuara dhe vështirësi ekstreme. Që nga koha e protestave “Black Live Matter”, policët shihen me sy tjetër, puna është ndërlikuar dhe vështirësuar shumë dhe ne nuk jemi aq shumë të dashur dhe të respektuar në komunitet si më parë dhe na duhet shumë punë për rritje të imazhit, shërbimit, sqaron oficerja Pepkolaj. Sfidat nuk na dekurajojnë kurrë por ato na shtojë forcën dhe dëshirën për të punuar edhe më fort për të mirën e komunitetit, tregon oficerja Pepkolaj.
Pak javë më parë në Bronx në punën e saj të përditshme Antoneta rrezikoi jetën e saj nga një sulm me thikë. Kjo nuk e ka demotivuar por i ka shtuar forcën dhe vendosmërinë për të mbrojtur jetën e njerëzve. Ajo tregon se puna më e vështirë është dialogu me persona në gjendje të rënduar psikologjike të cilët duan të bëjnë vetvrajse apo sulme të ndryshme ndaj qytetarëve. Ajo kujton me detaje ditën e parë të punës ku u përball me një vetvarje dhe arriti së bashku me partnerin e saj oficer, falë ndërhyrjes së shpejtë dhe ushtrimeve profesionale, të risillnin në jetë personin pa shënja jete.
Punën e saj e do shumë dhe e quan mision të shenjtë për të ndihmuar të tjerët, rendin e sigurinë publike, jetën e qytetarëve dhe mirëqënien e tyre në qytetin dhe shtetin e New York-ut. Antoneta është një shembull suksesi, krenarie, motivimi, përkushtimi dhe devotshmërie në shoqërinë amerikane dhe për komunitetin shqiptar. Ajo është anëtare e Shoqatës së Policëve Shqiptarë në New York dhe ndihmon komunitetin shqiptar jo vetëm si policë por edhe si shërbestare në ceremoni apo ngjarje të komunitetit shqiptar në New York./Dielli
Discussion about this post