Mijëra njerëz hodhën domate mbi njëri-tjetrin në qytetin Bunol të Spanjës lindore, gjatë festivalit të famshëm të luftës me ushqime, i quajtur “La Tomatina”.
Shtatë kamionë të ngarkuar me 120 tonë domate të pjekura, me lëng, kaluan në rrugën kryesore të qytetit ndërsa pjesëmarrësit të veshur me rroba të bardha hodhën domate pa fund mbi njëri-tjetrin.
Turistët dhe banorët vendas përfunduan duke notuar mbi salcë domatesh, teksa disa prej tyre gjetën edhe momentin romantik për të puthur njëri-tjetrin.
Bunol, i vendosur 39 km larg Valencias, ka një popullsi të vogël, ndërkohë që këtë vit më shumë se 22.000 njerëz nga e gjithë bota zbarkuan për të marrë pjesë në këtë luftë të pazakontë, raporton A2.
Thuhet se Tomatina e ka origjinën nga një përplasje spontane mes fshatarëve në vitin 1945.
Ajo u ndalua për një kohë gjatë viteve 1950 në kulmin e diktaturës së gjeneralit Francisco Franco, por mbijetoi për të fituar popullaritet në të gjithë Spanjën në vitet 1980 dhe sot tërheq turma të mëdha vizitorësh nga jashtë.
Discussion about this post