Në 93-vjetorin e lindjes së Dritëro Agollit, Bashkia e Tiranës çeli mjediset e “Shtëpisë Studio Agolli”, pjesë e strukturës muzeu vendor “Shtëpia Studio Kadare-Agolli”. Muzeu kushtuar shkrimtarit do të prezantojë një pjesë të historisë dhe kulturës materiale e shpirtërore, duke pasqyruar jetesën e shkrimtarit shumë të njohur për publikun, si brenda edhe jashtë vendit.
Elona Agolli, vajza e Dritëro Agollit, vlerësoi nismën duke thene:
“Do të doja shumë që im atë të ishte në jetë dhe ai të ishte udhërrëfyesi i këtij muzeu, të na lexonte librin e hapur të jetës së tij. Gjithsesi, unë kam shumë besim se secili vizitor i këtij muzeu do të ketë eksperienca të paharrueshme dhe të pazëvendësueshme me asgjë tjetër, pasi ky nuk është një muze i thjeshtë. Aty nuk kuptohet vetëm historia dhe biografia, epoka e jetuar nga shkrimtari, por aty ndjehet dhe fryma e tij. Sot uroj dhe përgëzoj Erionin, Kryetarin e Bashkisë, i cili ishte nismëtari i këtij projekti të bukur. Ai në asnjë çast nuk ndali së besuari në misionin e lartë të nismës, edukues për brezat në radhë të parë, por dhe pasurues të shpirtit dhe nxitës të përparimit dhe të civilizimit”.
Dritëro Agolli ka qenë poet, prozator, gazetar dhe publicist i njohur. Ai la pas një krijimitari mjaft të gjerë me poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash etj. Disa prej veprave më të rëndësishme të tij janë përkthyer në shumë gjuhë të botës.
Discussion about this post