Albert Vërria konsiderohet një ndër aktorët më të talentuar shqiptarë dhe ka hyrë në historinë e kinematografisë shqiptare, sidomos me rolin e “Xha Sulos” tek “Kapedani”.
Edhe pse i ri në moshë, ai luajti me mjeshtëri rolin e një 75-vjeçari.
Në një intervistë para se të ndërronte jetë, ai flet për këtë rol, por dhe kinematografinë shqiptare.
Ne po risjellim disa pjesë të intervistës.
-Ju mbeteni një aktor i cili ka zënë një vend nderi në art, por si e shikoni sot karrierën artistike?
Gjatë gjithë periudhës që jam angazhuar në teatër dhe kinematografi nuk kam menduar asnjëherë për karrierën time, kam menduar vetëm që personazhin që marr ta skalis në mënyrë të perfeksionuar, që në një të ardhme të mbetet në kujtesën e spektatorit.
-Krijimtaria para ’90 edhe pse mes shumë vështirësive ka sjellë yje të kinemasë dhe teatrit shqiptar?
E dini ku është çelësi i kësaj? Është tek aktorët, që në përgjithësi pa përjashtuar asnjë kanë qenë që të gjithë të përkushtuar për punën. Vetë Kinostudio ka qenë një industri kinematografike, ku bëheshin gati 16 filma në vit dhe gjithë angazhimi total i grupeve të filmit kishte një disiplinë të përsosur, aktorët kishin harmoni me njëri-tjetrin, kishin mirëkuptim për të kuptuar idenë dhe karakterin. Këto bënë që ne nuk shikonim kurrë anën financiare, por e kishim të përqendruar gjithë vëmendjen tonë te krijimtaria.
Donim me çdo kusht që çdo rol që luante një aktor në filma, ta bënte sa më mirë që ai më në fund të mbetej. Dhe unë nuk kam lakmuar kurrë në jetën time për të marrë role kryesore, por ato role që i shikonte regjisori, unë jam munduar ti bëj me mish e shpirt. Vetëm se shumë nga këto role sot që unë i shikoj në ekran, në këtë moshë që po shkoj 80 vjeç çuditem se si e kam bërë këtë rol.
-Siç thatë dhe ju, janë role që kanë mbetur në kujtesën e publikut, por vështirësitë kanë qenë të shumta?
Vështirësitë janë më të tepër të lidhur me ambientet ku ne xhironim. Kështu “Agimet stinës së madhe” xhiroheshin në kënetë pjesa më e madhe, dhe ne futeshim në kënetë që në orën 7.00 të mëngjesit dhe dilnim nga xhirimi në orën 19.00 të darkës, ishim në mes të gjarpërinjve dhe shushunjave. Tek filmi “Operacioni zjarri”, ku më marrin dhe më lidhin për shkëmbi për të më hedhur, aty unë kam ngrënë gati tre bote zjarrfikësesh me ujë në kurriz.
Sheshet e xhirimit nuk janë fushë me lule, dhe ne nuk merrnim parasysh sakrificën, por përkundrazi na dukej si gjëja më e zakonshme dhe kjo na bënte që ne dhe regjisorët të ishim të kënaqur dhe të merrnim sadisfaksionin kur filmi shfaqej në publik. Unë dua të falenderoj regjisorët e mi me të cilët kam punuar si Muharrem Fejzo, Saimir Kumbaro, Pirro Milkani, Albert Mingën, etj, kemi gjetur mirëkuptimin dhe dashamirësinë.
-Filmi “Kapedani” i vitit 1972 nga regjisori Muharrem Fejzo dhe Fehmi Hoshafi, skenari Skënder Plasari, ju interpretuat rolin e xha Sulos. Një sukses me rolin që vijon dhe sot. Pas këtyre dekadave, a mendoje se do të kishe kaq sukses me xha Sulon?
Më pyesin shpesh për këtë, por nuk e kisha menduar, jo vetëm unë por asnjë nga ne nuk e kishim menduar që ai film do të ishte kaq i mirëpritur. Ajo që ishte kryesorja, ishte sepse dy regjisorët Fejzo dhe Hoshafi ditën ta organizojnë grupin e xhirimit dhe të aktorëve, që skenari i Skënder Plasarit të realizohej në mënyrë të përpiktë me karakterin që kishte secili personazh. Janë dy personazhe kryesorë, xha Suloja dhe xha Beqo. Unë isha në moshë të re, para se të bëhej filmi më ofruan skenarin dhe një monolog për ta bërë si kinoprovë në Kinostudio, dhe kinoprovën e bëra me Nikolin Xhojën.
Para meje kishte dhe të tjerë pretendentë për atë rol si Pandi Raidhi, Mihal Popi, etj. Dhe në fund komisioni mendoi që dy rolet kryesore, njërin do ta interpretoja unë dhe tjetrin Nikolini. Unë isha në moshë të re që duhet të luaja një 75 vjeçar, e kisha të vështirë. Personazhi im kishte disa koncepte që unë në vetveten time nuk i kam pasur, siç ishte mentaliteti për përbuzjen e gruas. Dhe sa herë që më shikonin gratë në rrugë, ma thoshin:” iiiiii, ja ky njeri që nuk i do gratë”. (Qesh) Por jo moj u thosha, jo moj xhane, në film është tjetër gjë, në jetë jam tjetër njeri. I respektoj shumë femrat.
-Përmendët Kinostudion, por fakti është që pas ’90 ajo e humbi funksionin që ka pasur dikur?
Me shkatërrimin e Kinostudios pas ’90 është bërë gabim i madh. Ajo ishte industri e prodhimit të filmave. Nuk po përmend anën ideologjike, por atë artistike. Kinostudio duhet të ishte, ndoshta nuk bëheshin 15-16 filma, por 10 do bëheshin dhe do të ishin me nivel më të lartë se sa nga kjo kinematografi që ekziston sot.
-Çfarë problemesh ka në kinematografinë sot, filmat që realizohen?
Sot shikohet më tepër ana materiale, se sa ajo artistike në film. Kjo ka bërë që filmat që prodhohen sot nuk mund të çajnë dot si duhet në festivalet Europiane të filmit apo botërore. Nga ana artistike ka dhe filma që janë të shthurur, aktorët që zgjidhen në filma nuk zgjidhen gjithmonë sipas meritës që ka secili, por merren më tepër me shoqëri.
Interesi është tek paraja, sepse ka dhe shumë aktorë në rrethe dhe nuk janë aktorët vetëm në Tiranë. Kanë shpenzime, dhe marrin vetëm ata që janë brenda Tiranës, ose bëhet me grupe të vogla filmi. Ky është mendimi im, që më ka lënë shumë për të dëshiruar. Nuk ka disiplinë artistike në kinematografi, çalojnë dhe skenarët dhe buxheti është problem.
-Ju folët për disa probleme, por sot kinematografia po përballet dhe me buxhete të pakta, dikur Kinostudio nuk e ka pasur këtë problem?
Shteti duhet ta shikojë me përparësi të madhe artin dhe kulturën. Në kinematografi shteti duhet të japë më shumë buxhete, sepse edhe filmi është pjesë e zhvillimit dhe kulturës, jo vetëm shtetërore, por dhe i kulturës në mbarë botën, që të kuptojë që edhe shqiptarët kanë kinematografi të fuqishme, skenarë dhe aktorë të fuqishëm.
Por ata që marrin përsipër për të bërë një film, duke u mbështetur në një skenar duhet të jenë të bindur që do të dali diçka serioze, që të lërë mbresa te spektatori, ndryshe nëse merren paratë dhe bëhen rrush e kumbulla dhe niveli artistik është përtokë, atëherë natyrisht edhe përmbajtja, ideja dhe niveli artistik i filmit do jetë i papërfillshëm.
-40 vjet keni karrierë artistike, ju ka lodhur?
T’ju them të drejtën më shumë jam kënaqur. Më ka shtuar jetën, gjithë ai mundim që kam hequr unë me kolegët e mi, kur shikojmë sot filmat, e di sa na duket vetja, ndjehem i lumtur. Më vjen mirë që kam qenë aktiv, kjo më ripërtërin dhe në moshën që kam sot që po shkoj tek 80-tat mua më duket sikur jam 20 vjeç.
Discussion about this post