Kanceri i gjirit, një armik i heshtur që prek miliona njerëz, nuk është vetëm një sëmundje; është një betejë prek jo vetëm personin e diagnostikuar, por edhe gjithë familjen.
Në letrën në vijim të mbërritur në redaksinë e Anabel, do të lexoni një rrëfim të sinqertë të një gruaje që humbi nënën nga kanceri i gjirit. Ajo ndan përvojën e saj, me shpresën që do t’i shërbejë dikujt. Në thelb të mesazhit të saj është rëndësia e kontrollit dhe diagnostikimit të hershëm:
ADVERTISING
“Muaji tetor, që përkon me muajin e ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, më mori mamanë pikërisht nga kjo sëmundje. U bënë tashmë tre vjet që nuk ia dëgjoj më zërin, u bënë tashmë tre vjet që nuk ia shikoj më fytyrën, u bënë tashmë tre vjet që nuk ia ndiej më aromën, që nuk e dëgjoj më të qeshurën e saj nëpër shtëpi. U bënë tashmë tre vjet që e kërkoj, por e gjej vetëm në ëndrra dhe në kujtimet e mia, për të cilat “kujdesem” çdo ditë që të mos më humbasin dhe të mos më ikë asnjë detaj i saj…U bënë tashmë tre vjet që kam mësuar të bashkëjetoj me dhimbjen që la pas…
“Gabimi” i saj (dhe i yni) i cili i kushtoi jetën, ishte se e zbuluam shumë vonë sëmundjen e saj. Ndoshta nuk do t’i kishte shpëtuar “kthetrave të vdekjes”, (sepse kanceri ishte malinj dhe shumë shpejt pas kimioterapisë iu përhap në mëlçi), por do të kishim zgjatur edhe pak qëndrimin e saj ndërmjet nesh, të mund të kishte shijuar edhe pak dashurinë e nipërve dhe mbesave. Fryma e saj ndali atë mëngjes së hëne të datës 12 tetor 2020, në moshën 45-vjeçare, duke lënë pas vetëm dashuri dhe respekt për të.
Thirrja ime është për çdo grua dhe vajzë, duke u thënë që kjo sëmundje nuk pyet për moshën, nuk pyet as për madhësinë apo dendësinë e gjoksit, nuk pyet nëse je nënë me shumë fëmijë, me një apo nuk je bërë nënë akoma, nuk pyet nëse i ke ushqyer fëmijët me gji apo me formulë, nuk pyet nëse ke abortuar ndonjëherë apo asnjëherë.
Kanceri i gjirit ka shumë shkaktarë, por e kemi vetë në dorë kujdesin për veten, duke e kontrolluar veten gjithmonë dhe duke bërë eko gjiri. Dhe nëse vini re ndonjë ndryshim te vetja, kontrollohuni menjëherë tek mjeku.
Mendoni për dhimbjen që do lini pas nëse nuk e zbuloni në kohë sëmundjen, por më tepër mendoni për VETEN tuaj. Kujdesu për veten, bëj një eko gjiri!
Ky është mesazhi i një vajze që ka humbur nënën e saj nga kjo sëmundje, mesazhi i një nëne që ka tre vjet tashmë që kryen eko gjiri çdo gjashtë muaj për të mos lënë fëmijët e saj pas dhe zemërthyer e pa dashurinë më të sinqertë, atë të nënës.”/anabelmagazine.com
Discussion about this post